Gostivar, mbi 200 banorë do të marrin subvencione për biçikleta

Gostivari

Gostivar, mbi 200 banorë do të marrin subvencione për biçikleta

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 22:07
Gostivar

Përderisa Komuna e Gostivarit tashmë subvencionon qytetarët që do të blejnë biçikleta, në qytetin tjetër më të madh në Pollog, respektivisht në Tetovë, këto shtigje mungojnë në pjesët më të mëdha të rrugëve.

Këtë javë duhet të fillojë pagesa e subvencioneve për 200 banorë të Komunës së Gostivarit, të cilët kanë aplikuar për blerje të biçikletës. Komuna e Gostivarit, të gjithë atyre që i plotësojnë kushtet do të ndajë deri më 5000 denarë maksimum mjete për blerje të biçikletës. Këtë hap, komuna e ka bërë që biçikleta më shumë të përdoret si mjet për qarkullim se sa automjetet tjera, dhe të ndikohet në përmirësimin e ruajtjes së ambientit. Masa e këtillë është në kuadër të programit për vitin 2020.

“Para një kohe kemi patur një thirrje publike ku qytetarët kanë mundur të aplikojnë për blerje të biçikletës. Pra, Komuna e Gostivarit subvencionon deri më 5000 denarë ata qytetarë që do të blejnë biçikletë, normalisht duke plotësuar kriteret e parapara në thirrjen publike. Kanë arritur rreth 200 aplikime dhe janë duke u shqyrtuar të njëjtat, kurse këtë javë pritet që të përmbyllen procedurat administrative dhe qytetarët do të mund të marrin mjetet”, thonë nga shërbimi për informim në Komunën e Gostivarit.

Në qytetin e Gostivarit nuk ka shumë rrugica për çiklistë, por edhe krahas kësaj, ato rrugica që shfrytëzohen nga çiklistët janë ngjyrosur me qëllim që këta qytetarë të vozisin pa probleme. Pjesa më e mirë për këta qytetarë është përgjatë Lumit Vardar, kurse në rrugët tjera shumë pak ka hapësira që të ketë shtigje për biçikleta. Megjithatë nga Komuna e Gostivarit shpresojnë se në të ardhmen do të shqyrtohen edhe variante tjera që qytetarët të mos ndezin veturën e tyre për një punë të vogël në qytet, por më shumë të shfrytëzojnë biçikletat. Kjo, sipas autoriteteve të kësaj komune, do të ndikojë edhe në uljen e ndotjes së ajrit, por edhe përmirësimin e komunikacionit ngase rrugët e ngushta në pjesën qendrore të këtij qyteti pamundësojnë që të ketë qarkullim pa kaos. Krahas kësaj, po ashtu Komuna e Gostivarit do të subvencionojë edhe inverterë. Të drejtë për aplikim dhe marrje të subvencionit kanë ata banorë të territorit të Komunës së Gostivarit, të cilët koftorët me dru për ngrohje do t`i zëvendësojnë me inverterë.

“Menjëherë pasi që të përfundojmë me pagesën e subvencioneve për biçikleta, do të ketë thirrje publike për inverterë, njëjtë sikurse vitin e kaluar, kur rreth 150 qytetarë morën subvencione për të ndërruar koftorët për ngrohje me inverterë, me qëllim që Gostivari të ketë ajër më të pastër”, thonë më tej nga Komuna e Gostivarit.

Përderisa Komuna e Gostivarit tashmë subvencionon qytetarët që do të blejnë biçikleta, në qytetin tjetër më të madh në Pollog, respektivisht në Tetovë, këto shtigje mungojnë në pjesët më të mëdha të rrugëve. Edhe pse vite më parë ishte paralajmëruar se do të rregullohen shtigje për biçikleta në bulevardin Iliria në pjesën qendrore, një gjë e tillë ende nuk është bërë. Kësisoj, shumë qytetarë të Tetovës, të cilët dalin me biçikleta në qytet për të shmangur kaosin në trafik, megjithatë përballen me mungesën e rrugicave të posaçme.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat