Rritet buxheti i Gostivarit për investime kapitale

Gostivari

Rritet buxheti i Gostivarit për investime kapitale

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 18:19
Foto Ilustrim

Deri në fund të këtij viti duhet që këshilltarët e Komunës së Gostivarit të miratojnë buxhetin e kësaj komune për vitin 2021. Momentalisht qytetarët janë duke dhënë propozimet e tyre se çfarë projekte duhet të mbështeten, kurse më pas këto propozime do të jenë pjesë e programit për vitin e ardhshëm. Sipas Sektorit për Financa dhe Buxhet në këtë komunë, për vitin e ardhshëm Komuna e Gostivarit ka projektuar një buxhet në vlerë rreth 18,2 milion euro.

Nga ky sektor njoftojnë se krahasuar me vitin që po e lëmë pas, buxheti i Komunës së Gostivarit ka një rritje prej 4.5 për qind. Por, edhe vitin që vjen, pjesa më e madhe e buxhetit, apo rreh 60 për qind, është parashikuar për bllok-dotacione apo transfere nga ministri të ndryshme për rrogat e punëtorëve nëpër shkolla, çerdhe, njësi të zjarrfikësve e kështu me radhë. Komuna e Gostivarit po ashtu për vitin e ardhshëm, ka paraparë mjete edhe investime kapitale ku dominojnë ndërtimet e kanalizimeve.

“Në krahasim me vitin 2020, është paraparë rritje e buxhetit edhe atë për 500 milion denarë për investime kapitale. Gjithsej, për vitin e ardhshëm për investime kapitale, janë ndarë mbi 145 milion denarë. Po ashtu rritje të mjeteve ka edhe për ndërtimin dhe rekonstruimin e rrjeteve të kanalizimeve. Nëse në vitin 2020 kishim 8 milion denarë për rrjetet e kanalizimit, vitin 2021 kemi paraparë 25 milion denarë për këtë qëllim”, thonë nga Sektori për Financa dhe Buxhet në Komunën e Gostivarit.

Buxheti për vitin 2021 në këtë komunë të Pollogut parasheh edhe mjete për mbrojtjen e ambientit jetësor, ku pritet të ndahen para edhe për Këshillin rinor në kuadër të kësaj komune. Propozim buxheti për vitin e ardhshëm duhet që të votohet nga ana e këshilltarëve deri në fund të muajit dhjetor. Nga kjo komunë njoftojnë se tashmë kanë përfunduar punimet në njërin prej projekteve më kapitale në qytetin e Gostivarit. Bëhet fjalë për qendrën rekreativo-sportive e cila shtrihet buzë Lumit Vardar, respektivisht nga ura e vogël e deri tek ura e re. Gjatësia e kësaj qendre është 420 metra dhe e njëjta paraqet një hapësirë të cilën do ta shfrytëzojnë të gjitha moshat, kurse nuk mungojnë edhe shtigjet për personat me nevoja të veçanta.

“Ky projekt është në përfundim e sipër ngase kanë mbetur vetëm edhe disa pajisje urbane të vendosen, si dhe disa shporta. Ka edhe disa lojëra për fëmijë, të cilat do të vendosen në pranverë, për shkak të motit, të njëjtat nuk mund të vendosen tani. Por edhe pse ka mbetur shumë pak punë, megjithatë shumë qytetarë tashmë kanë filluar që të frekuentojnë këtë qendër rekreative rreth Lumit Vardar”, thonë nga Komuna e Gostivarit. Krahas kësaj, për vitin e ardhshëm tashmë janë bërë edhe disa aplikime nëpër fonde të ndryshme për projekte të tjera kapitale në tërë territorin e Komunës së Gostivarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat