Taravari: Arsimi në mandatin e shkuar – mësimdhënësit janë paguar edhe për Facebook

Gostivari

Taravari: Arsimi në mandatin e shkuar – mësimdhënësit janë paguar edhe për Facebook

Më: 25 janar 2018 Në ora: 16:38
Pamje nga konferenca

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari mbajti sot konferencë për shtyp me ç’rast, në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, shpalosi dështimet dhe keqpërdorimet e bëra në mandatin e shkuar në sferën e arsimit në komunën e Gostivarit. Ai njoftoi se për sot ka përzgjedhur sferën e arsimit, i nxitur nga prononcimi i djeshëm në media të disa ish punonjësve arsimorë, militantë partiakë, për kinse zëvendësimin e tyre me kuadër joadekuat.

“Në vitin 2013, militantët partiakë të asaj kohe, në të njëjtën periudhë të vitit kanë larguar 166 persona me vendime dhe me kontratë, të cilët i kemi me emër dhe mbiemër. Ndërsa tani, prej gjithsej 147 të punësuarve me kontratë, 117 kanë mbetur në punë, ndërsa vetëm 30 janë zëvendësuar me kuadër të ri. Kjo do të thotë se 80 % kanë mbetur të njëjtit, ndërsa janë zëvendësuar vetëm 20% e tyre, edhe atë kryesisht shkaku asaj se nuk kanë qenë kompetentë për lëndët të cilat i kanë ligjëruar”, shpjegoi Taravari.

Ai, në konferencën e sotme për shtyp, shpalosi edhe shumë raste të zbatimit jo të plotë të Ligjit për kontabilitet dhe shfrytëzuesve buxhetorë, që e dëshmojnë revizionet e brendshme në shkollat publike të Gostivarit.

“Në SHF Liria të Vërtokut, janë paguar fatura me vlerë marramendëse për celularët zyrtarë, të cilat jua dorëzoj në dispozicion. Në bazë të Raporti të revizionit për periudhën 06.11.2016 – 16.11.2017 nga ana e inspektoratit një shkollë është vlerësuar me notë 2,25. Në Shkollën e mesme teknike, revizioni i brendshëm që e ka bërë ish kryetari i komunës për periudhën 03.03. – 29.03.2017, ka treguar zbatim jo të plotë të ligjit për kontabilitet. Pagesa për kontratë në vepër në vlerë prej 397 mijë denarë, për të cilët mungojnë raporte për personat e angazhuar me punë”, nënvizoi kryetari Taravari duke u ofruar gazetarëve edhe dëshmitë për këtë.

Më pas ai përmendi një rast eklatant në Shkollën e mesme të mjekësisë, ku ka qenë i punësuar një person joadekuat për lëndën e informatikës, i cili ka pasur të kryer biznesin

“Ky person ka qenë i angazhuar 4 orë për mbështetje informatike, 4 orë për testim ekstern, 3 orë për fotokopje dhe, paramendoni, 2 orë për Facebook. Normalisht ky person nuk mund të mbahet në punë. Një rast tjetër, instruktor i mësimit praktik ka qenë me shkollë të bio-kimisë. Ndërkaq në SHF Çajla është harxhuar naftë, paramendoni, në vlerë prej 600 euro për makinën e kositjes”, theksoi Taravari.

Kryetari i komunës së Gostivarit, përmendi edhe raste të nepotizmit, me ç’rast nënvizoi rastin në SHF Gjon Buzuku në fshatin Sërmnovë, ku një familje kontrollon gjithë shkollën. Ish drejtori ka punësuar si sekretareshë kunatën e vet, ndërsa në po këtë shkollë janë punësuar edhe vëllai i tij dhe disa familjarë të tij.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat