Koordinim i aktiviteteve ndërmjet Sektorit të arsimit dhe shërbimit pedagogjik të shkollave të Gostivarit

Gostivari

Koordinim i aktiviteteve ndërmjet Sektorit të arsimit dhe shërbimit pedagogjik të shkollave të Gostivarit

Më: 4 shkurt 2018 Në ora: 10:17
Pamje nga takimi

Sektori i arsimit pranë Komunës së Gostivarit, realizoi sot një takim me shërbimet pedagogjike të shkollave komunale, në të cilin morën pjesë pedagogët, psikologët dhe sociologët e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme komunale të Gostivarit.

“E realizojmë këtë takim me shërbimet pedagogjike të shkollave fillore dhe të mesme, që në mënyrë më efektive dhe efikase t’i koordinojmë aktivitetet dhe përmes thellimit të bashkëpunimit, si ndërmjet komunës dhe shkollave, ashtu edhe bashkëpunimit të ndërsjellë mes shkollave dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet tyre, ta rrisim cilësinë e procesit edukativo-arsimor dhe kësaj sfere kaq të rëndësishme t’ia kthejmë vendin e merituar në shoqëri”, thotë Aslian Snopçe, udhëheqëse e Sektorit të arsimit pranë komunës së Gostivarit.

Nga ky takim dolën ide konkrete, por edhe u sollën konkluzione mjaft të rëndësishme. Takimet e këtilla të jenë të rregullta dhe të mbahen në javën e parë të muajit. Shërbimet pedagogjike të shkollave të raportojnë rregullisht për punën e tyre. Udhëheqësitë e shkollave të rrisin kontrollin mbi punën e mësimdhënësve si dhe të bëjnë inspektim në orët mësimore. Shërbimi pedagogjik të shkarkohet në tërësi nga punët administrative të cilat u takojnë drejtorive të shkollave.

Ajo që vlen të theksohet në veçanti, është se shërbimet pedagogjike të shkollave obligohen që një herë në muaj të organizojnë punëtori (ligjërata) për tema të caktuara për të cilat bashkërisht dhe në koordinim me Shërbimin e arsimit do t’i vlerësojnë si të dobishme.

“Kjo bëhet me qëllim që aktivitetet dhe punët e caktuara të pedagogëve apo psikologëve të shkollave të mund të gjejnë një zbatim më të gjerë nëpër shkolla dhe të shfrytëzohen nga të gjithë idetë e mira individuale të profesionistëve. Disa ligjërata do të mbahen edhe në shkollat fillore edhe në të mesmet, ndërsa ato që janë specifika për grupmosha të caktuara, do të zhvillohen vetëm për ciklin përkatës të arsimit”, njofton Aslian Snopçe.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat