Sfida të reja për Evropë

Hendboll

Sfida të reja për Evropë

Më: 9 janar 2019 Në ora: 11:12
Sfida të reja për Evropë

Një hapje shumë pozitive të vitit kanë bërë zyrtarët e ndeshjeve të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Janë gjyqtarët Erdoan e Arsim Vitaku që në ditët e para të janarit kanë drejtuar ndeshje evropiane. Bëhet fjalë për takimin e 5 janarit në mes të skuadrës hungareze Siofok KC Hungary dhe asaj daneze Herning-Ikast Handbold, të zhvilluar në Siofok të Hungarisë. Ndeshja i takoi xhiros së parë të fazës grupore të Kupës së EHF-së (EHF Cup) për hendbolliste. Fitore shënoi skuadra vendase Siofok me rezultat 25:21. Ndeshjen e përcjellën 1185 shikues. Çifti Vitaku për delegat e kishin Aco Nikolvskin e Maqedonisë, ndërsa janë vlerësuar për paraqitjen.
Kështu prezenca e zyrtarëve kosovarë të ndeshjeve në Kupa Evropiane vetëm po shkon duke u rritur. Poashtu po rritet niveli i ndeshjeve që po u besohen gjyqtarëve dhe delegatëve nga Kosova.
Delegime tjera tashmë janë bërë për zyrtarët e ndeshjeve të FHK-së. Kështu gjyqtarët Ilir Bytyqi e Syart Kasapi më 9 e 10 shkurt do të drejtojnë dy ndeshje në Vise të Belgjikës. Bëhet fjalë për ndeshjet e 1\8 së finales të Kupës Sfiduese (Challenge Cup) për femra në mes të Femine Vise dhe Kristianstadit (Suedi). 
Delegatja e EHF-së, Shqipe Bajçinca Brestovci më 2 shkurt do të kujdeset për mbarëvajtjen e takimit në mes të skuadrave nga Holanda, Geonius V&L dhe H. V. Quintus. Do të jetë kjo ndeshja e parë e 1\8 të finales në Kupën Sfiduese për hendbolliste dhe do të luhet në Geleen të Holandës. Delegime tjera për gjyqtarë e delegatë priten në ditët e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat