Trajnere, profesoresha e instruktore, një jetë interesante e sportisteve të Kosovës

Hendboll

Trajnere, profesoresha e instruktore, një jetë interesante e sportisteve të Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 29 janar 2019 Në ora: 18:24
Vlora Jashari e Blerta Tërpeza

Një numër i madh i sportistëve dhe sportisteve janë të përfshirë edhe në zanatet tjera për të siguruar ekzistencën, sepse vetëm me sport vështirë që mund të ia dalin. Viteve të fundit sportistet që janë përshëndetur nga loja aktive, por ka edhe prej tyre që janë aktiv, angazhohen edhe jashtë profesionit.  Ish hendbollistja e Kombëtares së Kosovës, Vlora Jashari, aktualisht trajnere e KHF Kastriotit dhe portierja e Vjosës së Shtimes, Blerta Tërpeza, krahas hendbollit merren edhe me profesione tjera.

Vlora është profesoreshë në Qendrën për Kompetencë dhe Blerta arsimtare në shkollën ‘Ganimete Tërbeshi’ në Ferizaj. Ato janë edhe instruktore të skijimit, punojnë me nxënëse po ashtu së fundit janë të angazhuar edhe në fitnesin e sapohapur.   Vlora dhe Blerta janë të pandashme si shoqe, por tani me klubet e ndryshme dhe rivale në fushën e lojës. “Hendbolli është pjesë e shpirtit tim. Me këtë sport kam përjetuar shumë gëzime por edhe ndonjëherë dëshpërime. I takoj gjeneratës së kohës së vështirë, kohës së okupimit, në vitet e 90-ta, por jam shumë krenare. Kemi bërë shumë për të arritur deri këtu ku jemi sot.

Image

Vlora Jashari

Kemi kaluar shumë sfida. Gëzimi më i madh për mua ka qenë kur u kthyem në palestrat sportive, që ishin të uzurpuara nga regjimi serb. Koha kur u kthyem në palestra ka qenë në gusht të vitit 1999 dhe ishte një motiv shtesë për të gjithë ne. Me Kastriotin kemi pasur një gjeneratë që nuk do të përsëritet një kohë të gjatë, katër herë rresht kampione të pasluftës. Të gjitha ishim pothuajse të qytetit”, tha Vlora për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Vlora tha se sihariqi më i mirë ka qenë kur FHK u pranua në EHF në vitin 2004. “Pranimi i FHK-së në arenën ndërkombëtare, na solli shumë gëzime dhe arritëm si hendbolliste ta shijojmë se çka do të thotë të luash në rrafshin evropian, pra në kupat evropiane. Ka qenë një periodë e mirë, ani se rezultatet na munguan në Kupat Evropiane, por besoj se e prezantuam mjaft mirë shtetin tonë”, theksoi ajo. 

Image

Blerta Tërpeza

Trajnerja e klubit Kastrioti mendon se të punosh edhe në profesione tjera nuk është edhe aq lehtë, sidomos instruktore në skijim.

“Të jesh edhe profesoreshë edhe instruktore në skijim, vërtet nuk është lehtë, kur e ke parasysh edhe hendbollin, me merr shumë kohë. Mundohem të gjejë kohë sa më shumë, përveç si trajnere e hendbollit përkushtohem edhe në lëmi tjera. Skijimi është frymëzim dhe me mbetet merak që nuk u bëra edhe skiatore, sepse kisha talent. Por tërë dashurinë e kisha në hendboll dhe e lash anash skijimin. Sot së bashku me shoqen time, Blertën vazhdimisht jemi pjesë e skijimit dhe e kemi edhe obligim sepse jemi edhe si instruktore, kjo më bën shumë krenare”, tha Vlora.  Blerta është krenare që angazhohet në të gjitha profesionet.

“Hendbolli është sport që me fle në zemër dhe mundohem me tërë qenien time t’i kushtohem. Punoj si trajnere e portiereve por aktualisht jam edhe portiere aktive dhe anëtare e Vjosës së Shtimes. Hendbolli është nga sportet mjaft të vështira sepse kërkon punë e angazhim dhe përgatitje. Sidomos portieret shumë herë dinë edhe t’i fajësojnë kur nuk reagojnë si duhet ose të na fajësojnë për humbje, por ndodhë që edhe ne jemi protagonistet e fitoreve në momentet vendimtare”, tha Blerta.  Me tri profesione, do shumë punë e angazhim?

“Profesoreshë dhe instruktore shtuar edhe si portiere e hendbollit, janë tri profesione që nuk mund të them së shkojnë të gjitha së bashku, sepse secila kërkon përkushtimin ose si themi të jemi të përgatitura në çdo aspekt. Unë me Vlorën ka kohë që merrem si instruktore të skijimit, punojmë edhe me fëmijë. Skijimi e shoh si sport shumë atraktiv dhe që pas hendbollit është që më fle shumë në shpirt.  Shumë herë duhet të jemi edhe të kujdesshëm, pasi që çdo gabimi yni shikohet ndryshe nga opinioni. Por sporti është ai që e mban gjallë çdo njeri”, përfundoi Blerta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat