Kabashi: Do ta sulmojmë Besën dhe Kastriotin!

Hendboll

Kabashi: Do ta sulmojmë Besën dhe Kastriotin!

Nga: Kemajl Goca Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 19:32
Kabashi: Do ta sulmojmë Besën dhe Kastriotin!

Tri skuadra janë në garë të ashpër për titullin e kampionit, Kastrioti që udhëheq kreun me 26 pikë, i ndjekur nga Besa Famgas me 26 e Prishtina me 24 pikë. Prishtina pretendon titullin dhe Kupën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Kryetrajneri i Prishtinës, Taib Kabashi, nuk e përjashton mundësinë e ndonjë befasie, por sipas tij kanë ekip të mirë dhe të komponuar mirë dhe me lojtarë me përvojë e të rinj. Ai shprehet se janë të gatshëm për ndeshjen e javës së 15-të në udhëtim kundër Zhegrës, që luhet me 10 shkurt në orën 16.00. “Prishtina gjithmonë është e përgatitur. 

Ekipi ku punoj unë gjithmonë fillojnë me kohë përgatitjet dhe fizikisht janë mirë të përgatitur.  Synimet e Prishtinës si çdo vit janë titulli dhe Kupa. Besa dhe Kastrioti e kanë një përparësi të lehtë ndaj Prishtinës. Këto skuadra në tabelë janë me dy pikë përparësi ndaj nesh ose me një fitore me shumë. Do të jemi befasi”, tha Kabashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Kryetrajneri i Prishtinës tha se do të sulmojnë nga plani i dytë. “Do të sulmojmë prej planit të dytë. Kastrioti dhe Besa janë favoritë dhe nuk do të thotë se favoriti gjithmonë është i pari. Kemi lojtarë me përvojë, siç është kapiteni ynë 27 – vjeçar, Kreshnik Krasniqi, po ashtu mosha mesatare është 21-22 vjeçare.

Kemi 5-6 lojtarë të Kombëtares së Kosovës U-20, dy-tri të Kosovës U-18, ekipi është në rritje.  Do të sulmojmë Besën dhe Kastriotin në çdo ndeshje si për pikë si për Kupë. Normal edhe ndodhin befasitë jo vetëm në hendboll, si ndodhi befasia me Besën favorite absolute dhe e fituam në vjeshtë, pastaj me Kastriotin luajtëm shumë mirë deri në minutën e 55-të, por ndikoi që të humbim pasi u lënduan disa lojtarë me përvojë në radhët tona”, tha ai. Kabashi foli edhe për përforcimet: “Jemi përforcuar me Shahinin e Dritës, portierin maqedon Kolev nga Kastrioti, sipas nevojës kemi edhe portierët Agushi – kandidat për Kombëtare A të Kosovës dhe Beqirajn, anëtar i kombëtares së Kosovës U-20, dy portierë shumë të mirë. 

Ardhja e Kolevit është e mirëseardhur, me një përvojë të mirë, kështu që jemi kompletuar dhe do të bëjmë befasi”. Më tutje flet edhe për cilësinë: “Cilësia është rritur, më së miri e tregon diferenca e ngushtë mes tri skuadrave të para, vetëm në dy. Besoj se do të jetë një kampionat shumë interesant dhe i luftuar deri në fund. Kanë mbetur edhe katër xhiro deri në përfundim të kampionatit të rregullt, pastaj fillon shtesa dhe në fund është play-off-i. Kemi lojtarë me përvojë, si Fetahu, Beshiri e Krasniqi, të gjithë standardë në Kombëtaren A të Kosovës, po ashtu edhe lojtarë me perspektivë. Beshiri është 24 vjet, Fetahu 26,  Krasniqi 27, që janë bartës të lojës”, përfundoi Kabashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat