Ramadani:Fatmirësisht nuk patëm lëndime

Hendboll

Ramadani:Fatmirësisht nuk patëm lëndime

Më: 7 prill 2019 Në ora: 13:07
Ramadani: Fatmirësisht nuk patëm lëndime

Kombëtarja e Kosovës në hendboll e ka zhvilluar edhe ndeshjen e dytë stërvitore me Turqinë. Ndeshja e dytë është dashur të luhet të dielen, por pas një vendimi të papritur të kombëtares së Turqisë, është luajtur të shtunën në Stamboll. Kombëtarja jonë është duke u përgatitur në Stamboll për ndeshjet kualifikuese me Izraelin që luhen të mërkurën dhe të dielen tjetër. Ndeshjen e së shtunës e fitoi kombëtarja e Turqisë me rezultat 29:22. Ndeshja e parë e luajtur të premten përfundoi me rezultat të barabartë. 
Kombëtarja jonë në ndeshjen e dytë është paraqitur me fond të limituar të lojtarëve dhe kjo ka patur ndikimin e vet. 
“Nikoqiri ka ndërruar planet në momentin e fundit. Ishte trajneri turk që vendosi që ndeshja të luhet sot, ndonëse ishim pajtuar për të dielen. Pjesa e parë ishte shumë intensive dhe e shpejtë por u lodhëm shpejtë dhe nuk patëm shumë mundësi të bëjmë ndërrime pasi që Endrit Abdullahi e Fatlum Ahmeti nuk kishin arritur me kohë për ndeshje. Luigj Quni thuajse nga aeroporti erdhi direkt në sallë. Turqit ishin më të fortë dhe më të fokusuar. E kanë merituar fitoren”, ka njoftuar përzgjedhësi i Kosovës, Taip Ramadani. Ai ka vlerësuar si të rëndësishme edhe ndeshjen e dytë stërvitore, ka marrë përgjige në disa çështje që kanë të bëjnë me paraqitjen.
“Fatmirësisht nuk patëm lëndime dhe gjithë lojtarët që kishim u angazhuan në lojë. Provuam kombinime të ndryshme në mbrojtje, si në lojtarë ashtu edhe në sisteme, me sukses në periudha të caktuara. Edhe pse ndeshja është luajtur në atmosferë shoqërore, ka qenë agresive dhe luftarake. Intensiteti ishte shumë më i lartë se në ndeshjen e kaluar, por ndërrimi i planeve nga trajneri turk na mohoi rastin për të provuar Abdullahin dhe Ahmetin. Nesër kemi dy stërvitje dhe të hënën kthehemi në Prishtinë. Do të mundohemi të punojmë sa më shumë në dobsitë tonë, që i vërejtëm gjatë dy ndeshjeve”, ka përfunduar përzgjedhësi Ramadani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat