Nehat Mustafa tregon se si e pa trajtimin e sportistëve tanë në aeroport

Hendboll

Nehat Mustafa tregon se si e pa trajtimin e sportistëve tanë në aeroport

Nga: K. G. Më: 16 prill 2019 Në ora: 17:54
Nehat Mustafa

Kosova po shënon rezultate të lakmueshme edhe në hendboll. Para pak ditëve (në Prishtinë) kombëtarja A e Kosovës e mposhti me rezultat 27:24 Izraelin, në ndeshjen e vlefshme të grupit 1 të kualifikuesve për Kampionatin Evropian 2020, kurse Kosova U-21 u kualifikua në Kampionatin Botëror (meshkujt). Ish zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Nehat Mustafa, tregon një ngjarje interesante për hendbollistët e Kosovës, se si e ka pa trajtimin e tyre në aeroport pas kthimit nga Tel Avivi, ku djelmoshat tanë pësuan humbje me rezultat 30:24. 

“Hendbolli, storie suksesi dhe respekti i munguar. Hendbollistët e Kosovës dhe reprezentuesit e të gjitha sporteve , në aeroportin tonë dhe pikat kufitare duhet të trajtohen si VIP. Mbrëmë gjatë kthimit nga Stambolli rastisi që të jemi në një aeroplan me hendbollistët e Reprezentacionit të Kosovës të cilët ktheheshin nga ndeshja që kishin zhvilluar me Izraelin! Logjikisht, ashtu siç edhe ndodh në secilin vend, sportistët që përfaqësojnë shtetin duhet që së paku në aeroportin tonë të gëzonin trajtimin VIP. Shumë herë kam parë se si në zonën VIP kanë kaluar edhe këngëtarë e biznesmenë të cilët udhëtonin për qëllime të tyre krejtësisht private.

Për befasinë time, mbrëmë hendbollistët e Reprezentacionit të Kosovës nuk e kishin trajtimin VIP edhe pse e meritojnë. Ata sikurse gjithë të tjerët prisnin në rend për kontrollin e pasaportave. Pavarësisht se ky mund të ishte ndonjë lëshim i rastit apo diçka e përsëritur, prapa se prapë mendoj që sportistët që përfaqësojnë shtetin duhet trajtuar dinjitetshëm. Më e pakta që mund të bëhet për ta është t'iu mundësojmë një kalim në zonën VIP si një mirënjohje për përfaqësimin që po i bëjnë shtetit tonë. Pas xhudos, hendbolli është sporti më i suksesshëm për momentin.

Image

Kosova

Jo vetëm që janë federata e parë e pranuar në arenën ndërkombëtare, por janë edhe të parët që në konkurrencën ekipore siguruan pjesëmarrjen në një ngjarje të madhe sportive. Hendbollistët e Reprezentacionit të Kosovës U21 me plot meritë siguruan pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror, kurse Reprezentacioni A është në rrugë të mirë ta siguroj pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian.

Jam i bindur që shumë më shumë do flitej për këto suksese sikur këto ti arrinte ndonjë federatë tjetër. Më shumë përkrahje për FHK dhe hendbollistët. Me sukseset e treguara po dëshmojnë që janë meritor për më shumë respekt zyrtar e jo zyrtar”, shkruan Mustafa në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat