Abazi: Gjysma e punës është kryer me Prishtinën 

Hendboll

Abazi: Gjysma e punës është kryer me Prishtinën 

Nga: Kemajl Goca Më: 14 maj 2019 Në ora: 16:48
Abazi djathtas

Gjysma e punës është përmbushur, këmbëngul Lulzim Abazi, kryetar i klubit të hendbollit Kastrioti nga Ferizaj (meshkujt), fitues i Kupës së Kosovës.  Abazi mendon se janë edhe në finale të play-off-it, ku nuk e parashikon ndonjë telashe sfidën me Prishtinën! Pretendimet e tija janë që pas Kupës ta fitojnë edhe titullin e kampionit.

“Normal se janë përmbushur gjyma e parashikimeve nga ana e lojtarëve, të cilëve iu jemi shumë falënderues për angazhimin maksimal për dy ndeshje të forta që treguan, në gjysmëfinale dhe finale të Kupës. Me plotë kuptimin e fjalës është përmbushur gjysma e punës, kur dihet se e kemi zhvilluar ndeshjen e parë të gjysmëfinales së play-off-it dhe arritëm fitore bindëse (28:21) ndaj Prishtinës.

Besoj se ndeshjen e dytë që e luajmë (nesër, 18.00) do të shkojmë në finale”, thotë Abazi për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Më tutje tha se janë më të qetë, nuk e kanë ngarkesën, për faktin se janë stolis me trofeun e Kupës. “Përparësia jonë lidhet në një aspekt, momentalisht jemi psikikisht më të qetë, nuk jemi të ngarkuar, e gjysma e punës është kryer, kemi fituar Kupën dhe do të luajmë më qetë.

Besoj se do të zhvillojmë ndeshje shumë të mira dhe pa ngarkesa, por më vështirë do ta ketë Besa, për arsye se mëtojnë të fitojnë titullin,  kështu që ngarkesa do të jetë në anën e tyre, nga ana jonë nuk do të kemi presionin as ngarkesën”, tha ai.  Kryetari i klubit tha se është atmosferë e mirë brenda taborit të tyre: “Është atmosferë jashtëzakonisht e mirë, shumë pozitive, tani mendohet finalja dhe bëhen përgatitjet për finalen. Gjysma e punës është kryer me Prishtinën, do të jemi në finale.

Po bëhet përgatitje për lojën me Besën dhe për një spektakël ashtu si i ka hije këtij sporti. Edhe pse ende nuk janë luajtur ndeshjet e dyta të gjysmëfinales së play-off-it, Abazi është i bindur se dy milionë për qind janë në finale! Sipas tij, gjasat për titull mes Kastriotit dhe Besës janë 50 me 50.

“Në finale gjasat janë gjithmonë të barabarta dhe rastësisht nuk arrihet finalja. Kastrioti dhe Besa janë dy ekipet më të përgatitura, por në play-off do të vendoset se kush do të bëhet kampion. Urojmë që të shkon mirë, të zhvillohet ndeshje e mirë dhe të bëhet një promovim i hendbollit të Kosovës”, deklaron Abazi. Ferizajasit kanë vendosur edhe për shpërblime!

“Tani për tani nuk mund të bëjmë të ditur shifrën e shpërblimeve, është një shpërblim, që mendoj se ekipi do ta pranojë mirë dhe do të japim maksimumin edhe ne në anën organizative. Krejt mundësitë po i shtjerrim në anën organizative nga ana e klubit që të organizojmë sa më mirë ndeshjen finale”, përfundoi Abazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat