Kastrati: Kampionati u karakterizua me lojëra të forta 

Hendboll

Kastrati: Kampionati u karakterizua me lojëra të forta 

Nga: Kemajl Goca Më: 19 korrik 2019 Në ora: 18:36
Kastrati: Kampionati u karakterizua me lojëra të forta 

Klubet janë në pushime verore, megjithatë disa prej tyre i kanë planet konkrete se çfarë duan në edicionin e ri në elitën e hendbollit të Kosovës (meshkujt).  

Prishtina ka përfunduar në vend të tretë me 40 pikë në edicionin e kaluar, duke mbetur pas kampionit Besa FamGas dhe Kastriotit.

Hendbollisti me përvojë i Prishtinës, Kushtrim Kastrati, tha se me pak fat do ta kishin fituar edhe trofeun e Kupës, ndërsa mendon se edicioni i ri do të jetë edhe më i mirë se ky paraprak.

“Bota sot”: Prishtina ka përfunduar në vend të tretë në edicionin e kaluar, po ashtu ishte në finale të Kupës por mbetet edhe jashtë garave evropiane, si e sheh në përgjithësi edicionin, i suksesshëm apo jo?
Kushtrim Kastrati:
Duke pasur parasysh se kemi qenë finalist i Kupës dhe në sekondat e fundit kemi mundur që të arrijmë një rezultat pozitiv, mirëpo fati nuk ishte në anën tonë, andaj KH Prishtina mund të themi se ka arritur objektivat që janë vendosur në fillim të sezonit. Ndërsa sa i përket garave evropiane, në mungesë të kushteve edhe përkundër vullnetit dhe cilësisë ne lojtarët, sidomos investimet në të rinj, që tani KH Prishtina është duke i bërë, mendoj që në një të ardhme të afërt do të jetë aty ku e ka vendin.

“Bota sot”: Çfarë e ka dalluar në përgjithësi kampionatin e kaluar?
Kushtrim Kastrati:
Kampionati i kaluar është karakterizuar me lojëra shumë të forta e atraktive, çka ka bërë që edhe shikuesit të mos mungojnë në palestër, saqë deri në momentet e fundit nuk është ditur fituesi.

“Bota sot”: Si e sheh edicionin e ri, në bazë të përforcimeve të deritashme të ekipeve?
Kushtrim Kastrati
: Tashmë Prishtina ka arritur marrëveshje me disa lojtar cilësor që i kanë munguar në pozitat sezonin e kaluar, besoj që këtë sezon do të jetë në nivel më të lart dhe sigurisht edhe me lojëra më të forta e kualitative, sidomos në të rinjtë të cilët tashme edhe po e përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare, e që një pjesë e tyre janë të KH Prishtinës.

“Bota sot”: A mendoni se Besa, Kastrioti dhe Prishtina, do të luftojnë për titull në edicionin e ri?
Kushtrim Kastrati:
Sigurisht që KH Prishtina por edhe ekipet tjera janë ndër pretendentët kryesor për titull, por besoj që edhe këtë sezon deri në fund nuk do të dihet fituesi.
“Bota sot”: Çka i duhet më shumë hendbollit që të jetë në nivel edhe më të mirë?
Kushtrim Kastrati:
Duhet investime në të rinj për një të ardhme më të mirë të hendbollit, por duke pasur parasysh që reprezentacioni i Kosovës ka një rini të shëndetshme dhe sportdashëse. Mendoj që afrimi i tyre në palestër dhe ofrimi i kushteve, stërvitjet me trajnerë profesional do të ndikonte në arritjet e secilit edhe në arenën ndërkombëtare dhe do të kthente edhe më shumë shikuesit në tribuna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat