Istogu në emocionet e Bjellorusisë

Hendboll

Istogu në emocionet e Bjellorusisë

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 12:36
Istogu në emocionet e Bjellorusisë

Istogu në emocionet e Bjellorusisë! Kampioni i Kosovës në hendboll (femrat), Istogu ka zhvilluar të enjten stërvitjen e parë në Gomel të Bjellorusisë, ku të premten e të shtunën luan ndeshje të Kupës së EHF-së. Është hera e tretë që Istogu luan në Evropë, kurse vitin e kaluar kishte sukses historik në Kupën Sfiduese, duke kaluar në 16 skuadrat më të mira të kësaj gare.

Kupa e EHF-së është nivel më i lartë, ndërsa Gomeli cilësohet skuadër cilësore. Gomeli ka në përbërje lojtare të Kombëtareve të Bjellorusisë dhe Ukrainës, kurse është skuadër dominante në Bjellorusi. Ka përvojë të gjatë edhe në Evropë. Para një viti ishte në tetë më të mirët e Kupës Sfiduese.

Ndeshja e parë mes Gomelit e KHF Istogut luhet të premten nga ora 18.00 kurse e dyta të shtunën nga ora 16.00. Kampioni jonë është përforcuar me dy lojtare nga Mali i Zi para ndeshjeve evropiane.

“Jemi vendosur në qytetin e Gomelit. Ndonëse rrugë e gjatë, kemi kohë të mjaftueshme të adaptohemi, ngase kemi një ditë kohë. Kemi zhvilluar stërvitjen e parë dhe do të kemi mundësi edhe për një stërvitje para lojës. Skuadra është e motivuar për lojë. Është hera e parë që jemi në Kupën EHF. Këtu skuadrat janë më cilësore.

Na presin ndeshje shumë të vështira. I dimë të gjitha për kundërshtarin.

Është ekip me përvojë, me disa reprezentuese të Bjellorusisë dhe Ukrainës, që kemi pasur rastin t’i shohim në ndeshje me Kosovën. Unë pres angazhim maksimal nga hendbollistet që drejtoj dhe nëse kjo vërtetë do të ndodhë, do të kemi paraqitje të mirë. Shpresoj që edhe hendbollistet e reja të përshtaten në lojën tonë. Dihet që kemi ndryshime në formacion.

Do të jenë ndeshjet e para pa Elma Kamerin e dihet rëndësia e saj në lojën e Istogut. Megjithatë ne do të japim maksimumin tonë në këto ndeshje”, ka thënë trajneri i Istogut, Faruk Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat