Një e zezë e madhe në sportin e Kosovës!

Hendboll

Një e zezë e madhe në sportin e Kosovës!

Nga: Enis Kastrati Më: 20 shtator 2019 Në ora: 16:29
Enis Kastrati

Ditë të vështira për shumicën e klubeve të hendbollit, të cilat po kalojnë nëpër krizë financiare dhe mezi po i vazhdojnë aktivitetet, dy prej tyre kanë hequr dorë nga elita, si Trepça nga Mitrovica dhe Drenica nga Drenasi. Me të vërtet është për të ardhur keq kur dëgjon që klubet me traditë janë pranë shuarjes, kjo është një e keqe jo vetëm për hendbollin por edhe për krejt sportin në përgjithësi.

Kam pritur që do të vijnë ditë të mira për klubet pas miratimit të ligjit për sport respektivisht për sponsorizim, mirëpo po shihet që bizneset e ndryshme ose nuk janë të interesuara të investojnë në hendboll ose edhe ata janë në krizë. Klubi i hendbollit Trepça është ndër klubet me traditë në hendbollin kosovar dhe përnjëmend është një turp që qyteti i Mitrovicës të lejon që një klub me një traditë të tillë të vije në at gjendje. A është kriza më e rëndë që po përjeton hendbolli?

Padyshim, ndoshta ka pas kushte edhe më të këqija në të kaluarën por kaq keq nuk ka qenë, të vihet në pikëpyetje ekzistimi i klubeve është një e zezë e madhe në sportin e Kosovës. Momentalisht nuk ka ndonjë shenjë që dikush do të mundet t’i bëjë ballë, sipas informatave që kam, të gjitha klubet janë të zhytura në krizë por kjo nuk shkon aspak as në favor të Besës sepse kur nuk ke konkurrencë atëherë nuk e di sa ja vlen të bëhen investime ose edhe të garohet kur veç dihet se kush është kampion dhe fitues i Kupës.

Po nëse vazhdon kështu, atëherë nuk e di çfarë kuptimi do të ketë liga e Kosovës, por unë po shpresoj që të dalin njerëz vullnetmirë që t’ju i ndihmojnë klubeve që edhe të kenë përfitime nga ligji për sponzorizim, nëse nuk ka ndonjë gjë konkrete atëherë jam shumë skeptik në mbarëvajtjen e kampionatit.

Sa për cilësi, dihet dhe nuk jemi në pozicion aspak të mirë. Sepse kur nuk ke kushte minimale atëherë as cilësi nuk mund të kesh, nuk ke mundësi as t’i stimulosh lojtarët që të japin ose të tregojnë maksimumin si në ndeshje ashtu edhe në stërvitje. Si duket kjo dukuri është bë e zakonshme në këtë realitetin e Kosovës.  

Është e dhimbshme të vije në këtë gjendje hendbolli, që vërtet është prej sporteve me traditë dhe që duhet të gjithë në forma të ndryshme të angazhohem, të nxjerrim nga kjo gjendje kaotike, ndryshe mund të mbesim pa shumë ekipe.  

Sinjalet janë të qarta, kur Superliga zvogëlohet pa dëshirë nga 10 në 8 ekipe për shkak të dorëheqjes së Trepçës dhe Drenicës, çdo koment do të ishte i tepërt. Ashiqare shihet se jemi në një rrugë të vështirë, që mund të na kushtojë edhe më shumë, nëse edhe ndonjë ekip merr hapin e Trepçës dhe të Drenicës!
Autori është ish - hendbollist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat