Klubi pejan po e organizon edhe kampionatin e shkollave fillore

Hendboll

Klubi pejan po e organizon edhe kampionatin e shkollave fillore

Më: 24 tetor 2019 Në ora: 10:51
Klubi pejan po e organizon edhe kampionatin e shkollave fillore

Klubi pejan i hendbollit, Besa Famgas shquhet për organizimin dhe stabilitetin që e ka e po ashtu për punën që po e bënë për të masovizuar dhe për të rritur nivelin e hendbollit.

Klubi kampion tashmë po e organizon edhe kampionatin e shkollave fillore në qytetin e Pejës, si pjesë e iniciativës për të masovizuar hendbollin sa më shumë te gjeneratat e reja. Ky organizim po çmohet nga presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, i cili uron që edhe në komunat tjera të ketë organizime të ngjajshme.

“Përgëzime dhe urime të sinqerta për organizimin e kampionatit të shkollave fillore në Pejë. Puna e cila po bëhet me aktivitetin dhe angazhimin e KH Besa Famgas, është për t’u admiruar dhe në funksion të zgjerimit dhe zhvillimit të hendbollit në Pejë dhe Kosovë. Shpresojmë se ky shembull i jashtëzakonshëm do të gjejë inspirim edhe në komunat tjera të vendit”, ka thënë presidenti Saraçini.

Kampionati i shkollave fillore i hendbollit në Pejë po organizohet në dy grupe. Në Grupin A janë ekipet e shkollave Xhemail Kada, 28 Nëntori, 8 Marsi dhe Vaso Pasha. Në Grupin B janë ekipet e hendbollit të shkollave fillore Asdreni, Dardania, Lidhja e Prizrenit dhe Ramiz Sadiku.

Ndeshjet e xhiros së parë janë luajtur më 13 tetor. Rezultatet ishin: Xhemajl Kada – 28 Nëntori 15:7, Asdreni – Dardania 7:2, 8 Marsi – Vaso Pasha 8:7.

Xhiroja e dytë luhet të shtunën më 26 tetor. Orari është ky: Asdreni – Lidhja e Prizrenit (10:00), Xhemajl Kada – 8 Marsi (10:45), Dardania – Ramiz Sadiku (11:30), 28 Nëntori – Vaso Pasha (12:15).

Për 10 nëntor është paraparë xhiroja e tretë, ndërsa më 17 nëntor do të bëhet përzgjedhja e parë për inkuadrim të nxënësve në ekipin e pionierëve të klubit Besa Famgas. Xhiroja e katërt është paraparë për 24 nëntor kurse seleksionimi i dytë për 1 dhjetor.

Është ky një organizim shembullor i klubit pejan ku përfshihen edhe struktura tjera.

“Klubi hendbollistik Besa Famgas hapi edhe një faqe të re. Filluam Ligën e shkollave fillore, ndërsa për të arritur këtë është dashur mund dhe angazhim. Është realizuar me ndihmën e madhe të drejtorit të Arsimit, Besim Avdimetaj, drejtorëve dhe profesorëve të shkollave në fjalë, trajnerëve të klubit, drejtorit të palestrës ‘Karagaçi’, iniciatorit Zdenko Kordi, dhe atij pa të cilin nuk do të kishte ndodhur kjo – sponsorit Famgas”, shkruan në njoftimin e klubit pejan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat