Kabashi: Me meritë jemi në kreun e tabelës 

Hendboll

Kabashi: Me meritë jemi në kreun e tabelës 

Nga: Kemajl Goca Më: 30 tetor 2019 Në ora: 18:10
Taib Kabashi

Prishtina po tregon lojëra të mira në gjashtë javët e para të Kampionatit të Kosovës në hendboll (meshkujt). Klub me një gjeneratë të re të hendbollistëve po dëshmon angazhim e rezultate, në gjashtë ndeshjet e para ka po aq fitore dhe prijnë me 12 pikë në renditjen e tabelës, dy më shumë se kampioni në fuqi Besa Famgas, por kjo e fundit e ka një takim më pak.

Kryetrajneri Taib Kabashi është duke bërë një punë të madhe dhe ndihet jashtëzakonisht i lumtur që ka një gjeneratë të re të lojtarëve në KH Prishtina. Kabashi tha se po përgatiten për takimin e fundjavës kundër Besa Famgas, sipas tij, ata janë favoritë.

Kabashi shprehet se edhe kushtet e mira janë një motiv shtesë për gjithë kolektivin. “Gjashtë ndeshje po aq fitore, ndërsa në ndeshjen e radhës e presim Besën dhe dihet se çfarë kualiteti ka por ka me qenë lojë e fortë. Edhe me Vushtrrinë ka qenë lojë e fortë por fituam (25:33). Katër lojë kemi fituar si mysafirë e dy si vendas, edhe një lojë e kemi fituar për Kupë. Mendoj se me meritë gjendemi në kreun e tabelës”, thotë Kabashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Kryetrajneri i Prishtinës beson se kanë ekip për të luftuar për titullin e kampionit ani se Besën e vlerëson si ekip dy herë më të fortë apo që ka dy përbërje të forta. “Besa ka ekip të fortë, ndoshta i ka dy ekipe të barabarta. Do të jetë derbi sezonal,  mes ekipeve më të mira Besës dhe Prishtinës. Do të japim maksimumin dhe si gjithnjë shkojmë për fitore. Besa e ka kualitetin, por edhe vitin e kaluar ka qenë favoritë por ia kemi shkaktuar humbjen e parë. Shpresojmë sërish të kemi paraqitje të mirë dhe të fitojmë edhe pse Besa është favorite. Ftojë gjithë dashamirët e hendbollit që të vijnë të dielën në orën 17.00 dhe të shohin një lojë të mirë në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë”, tha ai. Kabashi tregon edhe sa lojtarë i huazuan dhe për moshën mesatare. “Kemi huazuar lojtarë në Drenicë, si Kastratin, Gashin, Batatinën, si dhe Visokën te Llapi. Me fond të lojtarëve jemi pak më të varfër, sepse e kemi lejuar për shkaqe familjare edhe Arbër Nezirin që të kthehet në klubin e Vëllaznimit, edhe pse ka pasur kontratë me ne. Nuk i kemi pesë lojtarë prej fillimit, prapëseprapë kemi një fond të lojtarëve.

Mosha mesatare është 21 vjeç, ndërsa vjet kemi qenë kampion me ekipin e juniorëve kur e kishim mundur Besën në finale dhe shumica prej tyre janë në ekipin e parë të seniorëve”, tha Kabashi.

Më tej tha se synimet e Prishtinës janë kreu: “Synimet e Prishtinës si gjithnjë janë kreu i tabelës, besoj sivjet do të jemi në vendin e dytë, kurse në afatin kalimtar të dimrit do të shikojmë që të përforcohemi me lojtarë. Është një përparësi se kemi një gjeneratë të re, ka lojë shumë deri në fund, janë edhe 14 xhiro në pranverë. Besoj se me përforcimet që do t’i bëjmë në afatin kalimtar të jemi një ekip e barabartë me Besën”.

“Prishtina është standarde në kryerjen e obligimeve.

Nuk kemi probleme financiare, të gjitha obligimet janë kryer, nuk kemi lojtarë me paga të mëdha por shumica prej tyre janë studentë, edhe janë lojtarë të ri,  megjithatë kemi edhe tre lojtarë me përvojë si Petrit Prekazi, Oltion Beshiri e Lindrit Fetahu. Kapiteni ynë Beshiri nuk ka më shumë se 24 vjet”, thotë Kabashi. Në fund tha se tri skuadra do të jenë në luftë për titull: “Është Besa, Prishtina, pse jo edhe Kastrioti, që e çmojë traditën e tyre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat