Abazi e quan dështak Kokollarin dhe “i ikuri”...

Hendboll

Abazi e quan dështak Kokollarin dhe “i ikuri”...

Nga: K. G. Më: 7 janar 2020 Në ora: 18:21
Abazi e quan dështak Kokollarin dhe “i ikuri”...

Klubi i hendbollit Kastrioti nga Ferizaj (meshkujt) po kalon periudhë shumë të vështirë, ndërsa ish kryetari i fundit i klubit Lulzim Abazi, i ka reaguar ashpër Gëzim Kokollarit, ish kryetarit po ashtu të klubit. Kokollari përmes një postimit ka akuzuar mes të tjera: “Kjo gjendje e klubit të jep përshtypjen se edhe Komuna e Ferizajt është pa kryetar, sepse po të kishte një kryetar të përgjegjshëm e jo çfarë e ka formalisht, ferizajasit nuk do të fyheshin në këtë mënyrë me klubin e zemrës së tyre, që ishte krenaria dhe identiteti i tyre nëpër dekada”. Abazi ka reaguar ashpër ndaj Kokollarit.

“Personazhi që mban e mbron me pasion titullin “qesharak" në politikë e "dështak" në menaxhim sportiv, Gëzim Kokollari, paska bërë atë që di ta bëjë më së miri: vajtojcin profesionist e shpërndarësin entuziast të të pavërtetave. Si fillim, në emër të klubit emblematik të hendbollit ferizajas, "Kastrioti" - Meshkujt, kujtojmë se: - është pikërisht qeverisja e kaluar që ku nuk futi hundët e duart e cila dërgoi këtë injorant të sportit, në krye të KH "Kastrioti" për ta politizuar skajshmërisht, rrënuar imazhin e prestigjin e klubit dhe për ta lënë "pikë e pesë" në mëshirën e fatit.

Është pikërisht ky individ që siç thotë vet koha është mbretëresha e së vërtetës e që sportistët e sportdashësit ferizajas e dijnë fare mirë se e braktisi klubin në gjysmë të kampionatit, duke e lënë emblemën sportit ferizajas në gjendje katastrofale.  Është pikërisht ky individ që sipas parimit "të huazimit" sepse vet nuk diti, nuk guxoi e as nuk krijoi gjë, mori në huazim veshjet dhe përgatitjet sportive nga Federata e lojtarët i veshi me fanella të kombëtares, krejt pa dinjitet për klubin e tamam siç vetëm ai di ta bëjë jetën publike, qesharake e të padenjë.

E tash kur vulën e turpit e bart mbi supet e veta e klubit i la njolla të zeza si askush më parë, paraqitet si "shpëtimtari" e "strategu" i sportit të hendbollit, madje bën bilancin e gjendjes në klub duke e krahasuar të sotmen me atë të që rrënoi, shëmtoi dhe në fund e braktisi si i padijshëm e pavullnet për ta drejtuar. Ferizajasit e sportdashësit më mirë se kushdo e dijnë se nga Janari 2018 e deri në Dhjetor 2019, nën drejtimin e kryetarit të Klubit, Lulzim Abazi dhe kryesisë u rikthyer nami i dikurshëm i klubit, duke: U ranguar në vendin e tretë në Superligën e Kosovës; Fitoi të drejtën e pjesëmarrjes në gara ndërkombëtare; - Zhvilloi ndeshje ndërkombëtare me HC Tallin nga Estonia ku në dy ndeshje të fituara nga KH "Kastrioti" kaluam në raundin e tretë të Challange Cup, rezultat ky domethënës ndërkombëtar dhe i pari me menaxhimin e klubit pas luftës në garat ndërkombëtare; - U shpallëm kampion në sezonin vjeshtor; - Në mars 2019, kadetët e KH "Kastrioti" u shpallën Kampion të Kosovës. Në Maj 2019, pas tetë vitesh kthyem Kupën e Kosovës në Ferizaj duke u shpallur Kampion i Kosovës.  Në Qershor 2019, shpallemi Nënkampion i Kosovës.

Në Tetor 2019, klubi ynë zhvilloi ndeshjen e rëndësishme ndërkombëtare me HC Dukla Praga (CZE) në kuadër të Challange Cup. Kurse këtë stinor, u ranguam në vendin e katërt në radhitjen tabelare. E të gjitha këto janë arritur falë djersës së lojtarëve, menaxhimit brilant të kryetarit e kryesisë së klubit, përkrahjes së kurdohershme e të pandërprerë të Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, tifozëve, miqve, bizneseve e sportdashësve që na përcollën në vazhdimësi drejt sukseseve me të cilat mbyllëm vitin paraprak, fakte këto që askush e asnjëherë nuk mund t'i mohoj e aq më pak "i ikuri" Kokollari. KH "Kastrioti" është mbi çdo individë e krekosje.

Ai është ikona që shënon më së miri, rilindjen e sportit në Ferizaj gjatë këtyre dy viteve. E zhurmuesit që anonimitetin duan ta çjerrin me të pavërteta, më së paku duhet të heshtin si kërkim falje për adhuruesit e lojtarët e hendbollit ferizajas”, reagon Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat