Ramadani: Kosova kërkon vetëm fitore ndaj Italisë

Hendboll

Ramadani: Kosova kërkon vetëm fitore ndaj Italisë

Nga: Kemajl Goca Më: 9 janar 2020 Në ora: 18:06
Ramadani: Kosova kërkon vetëm fitore ndaj Italisë

Kosova është në emocione të sfidave kualifikuese për Kampionatin Botëror 2021 në hendboll (meshkujt). Hendbollistët e Kosovës zhvillojnë edhe stërvitjen e parë në Benevento të Italisë, në prag të sfidës së nesërme (20.00) me Italinë në kuadër të grupit 3. Kosova është në grup mjaft të fortë sepse përveç Italisë ka edhe Rumaninë edhe Gjeorgjinë. Selektori i Kosovës, Taip Ramadani, me qetësi i pret secilën sfidë por tërë fokusin e ka për përballjen me italianët, ku synim e ka vetëm fitoren.

Ai tha se atmosfera është shumë e mirë po ashtu edhe gjendja e lojtarëve shumë e mirë, nuk ka të lënduar dhe nga secili kërkon që të jap maksimumin.  Ballafaqimi me Italinë luhet në palestrën “Pala Tedeschi” në Benevento, ndërsa të shtunën sprovohet nga Rumania (18.00) dhe të dielën e 12 janarit (16.00) edhe nga Gjeorgjia.  

Në rast se Kosova e fiton Italinë padyshim që do të jetë edhe një motiv shtesë para sfidës së vështirë me rumunët. “Jemi shumë mirë të përgatitur, e njohim se çfarë kapaciteti ka Italia dhe presim që lojtarët tanë të jenë të gatshëm për këtë sfidë. Kemi studiuar dobësitë e italianëve, të cilët i kanë dy pika të forta.

Është ndeshja më e rëndësishme për ne dhe nëse fitojmë do të na vë në pozicion shumë të mirë për sfidat e radhës”, tha Ramadani për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ramadani ka punuar me intensitet të shtuar në mënyrë që ekipi të jetë sa më i përgatitur para këtyre ndeshjeve të mëdha. “Pikë të fortë e kemi mbrojtjen që po funksionon shumë mirë, po ashtu edhe në sulm kemi lojtarë të përgatitur dhe që një kohë janë bashkë, e njohin mirë njëri – tjetrin, duhet ta shfrytëzojmë në maksimum”, thotë ai. Selektori e pranon se Rumania është favorit i grupit por në asnjë formë nuk i druhen: “Rumania është favorite dhe e kanë presionin e madh, të cilët nuk janë kualifikuar nga vitit 2011, kështu që ata nuk do të kursejnë asgjë për ta arritur qëllimin”. Të dielën Kosova e zhvillon ndeshjen e fundit me Gjeorgjinë por sipas Ramadanit nuk ka rival të lehtë në kualifikime.

“Them të vërtet nuk ka sfidë të lehtë, edhe Gjeorgjia është e mirë edhe pse nuk e ka përvojën e Rumaninë.

Ne duhet të fokusohemi në aftësi tona dhe ndaj çdo kundërshtarit me të njëjtin seriozitet. Jemi komplet siç kemi qenë në kampin përgatitor dhe shpresoj ashtu të jemi deri në fund”, nënvizoi Ramadani. Më tej nuk futet në kalkulime se do të ishte e mirë edhe një pikë me italianët por kërkon pikët e plota. “Nuk dua të bëjmë kalkulime, por synimi ynë është të marrim fitore me Italinë”, përfundoi Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat