Arrita - hapave të nënës

Hendboll

Arrita - hapave të nënës

Nga: Kemajl Goca Më: 19 janar 2020 Në ora: 15:49
Arrita Kursani

Në vitet e fundit kemi një numër të talenteve në hendboll që po dëshmohen në ekipet e Superligës së Kosovës por edhe në ligën e parë.  

Arrita Kursani është prej hendbollisteve më të mira në vendin tonë, e cila luan me sukses në petkun e Vëllaznimit nga Gjakova. Arrita luan në pozitën e begut të majtë, ndërsa një periudhë ka qenë edhe kapitene në Kombëtaren e Kosovës, tani është pjesë e Kombëtares A.

Ajo punon me zell të shtuar që të rrisë cilësinë e saj dhe në një të ardhme jo të largët edhe të luajë në klubet jashtë Kosovës. Synimet e saja janë që të jap kontribut për klubin kuqezi, ta sigurojnë mbijetesën, ku aktualisht janë në pozitën e shtatë me 5 pikë të grumbulluara.  

Image

Lojtaret e Vëllaznimit

Arrita po shkon hapave të nënës së saj, që dikur luante me sukses hendboll.  “Dashuria për hendbollin lindi qysh në moshë të re duke pas parasysh që rrjedh brez pas brezi, pasi që edhe nëna ime ishte dikur lojtare e Vëllaznimit”, tha Kursani për gazetën kombëtare “Bota sot”. Hendbollistja 20-vjeçare shpreson se me Vëllaznimin do të shënojnë rezultate edhe më të mira në pjesën e dytë të kampionatit: “Siç e dimë të gjithë Vëllaznimi është në një pozitë jo të mirë por me ndihmën e bashkëlojtareve të mia dhe ndihmën e trajnerëve do të luftojmë dhe do të sigurojmë ekzistencën e klubit”.  Përveç që luani në Vëllaznim jeni edhe pjesë e kombëtares së Kosovës A, a është një ndjenjë krenarie por edhe një përgjegjësi, si dhe a ju motivon kjo? “Jam pjesë e Kombëtares së Kosovës, natyrisht që është  një ndjenjë dhe privilegj i pa papërshkrueshëm, gjithashtu një përgjegjësi shumë e madhe sepse ne tregojmë cilësitë tona dhe përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të jesh pjesë e Kombëtares është një motivim shumë më i madh sepse natyrisht rritet përvoja ime si lojtare. Konkurrenca është gjithnjë e më e madhe dhe kjo më ndihmon që të punoj çdo herë e më shumë”, përgjigjet Kursani.  

Hendbollistja pretendon rezultate sa më të mira: “Premtojmë një sukses më të madh sepse sezoni i parë ishte më shumë si një test për mua për arsye se sapo isha kthyer nga lëndimi që kam pasur në gju”. Kursani si çdo sportiste tjetër ka synimet e saja: “Synimet vazhdojnë e rriten çdo herë e më shumë, por me punë e përkushtim do i shfaqi vlerat e mia si lojtare”. Në fund flet se ka apo jo oferta nga klubet tjera: “Oferta nga klubet tjera kam, por do t’i qëndroj besnike edhe këtë sezon klubit tim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat