Selektori i Kosovës, Agron Shabani i ka bërë të dielën një vizitë portieres së re të Kombëtares sonë, Kristina Ukaj. Ukaj javë më parë vendosi të mbrojë ngjyrat e Kosovës, ndërsa selektori Shabani e ka ndjekur atë nga afër në ndeshjen e Superligës zvicerane, Spono Eagles – Rotweiss Thun. Ndeshjen e fitoi skuadra e Ukajt, Spono Eagles.
Selektori Shabani ka treguar që Kristina Ukaj dhe familja e saj janë shumë të lumtur që ajo do të paraqitet për Kosovën. 20-vjeçarja vlerësohet lartë për potencialin që ka dhe pritet të shërbejë për të rritur cilësinë në Kombëtaren tonë.
“Kam biseduar edhe me prindërit e saj, që janë shumë të lumtur për ftesën që i kemi bërë. Kristina është e interesuar të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës. Është befasuar për të mirë me vizitën që i kemi bërë dhe i erdhi mirë.
Është bindur që po e përcjellim me shumë interesim dhe për angazhimin që e kemi për të kërkuar lojtare të reja për një Kombëtare edhe më komplete dhe me konkurrencë më të madhe. Me sjelljen dhe talentin, Kristina është lojtare e nevojshme për Kosovën. Për të kam pasur vetëm fjalë të mira edhe nga bashkëlojtaret në skuadrën zvicerane dhe pjesëtarë të stafit të klubit”, ka thënë selektori Agron Shabani.