Albana Arifi: Nuk do të jetë lehtë, por shpresoj se do të kualifikohemi

Hendboll

Albana Arifi: Nuk do të jetë lehtë, por shpresoj se do të kualifikohemi

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 15:41
Albana Arifi

Hendbollistja e Kombëtares së Kosovës, Albana Arifi, ka respekt për kundërshtarët në kualifikimet për Botërorin 2021, por nuk e vlerëson të pamundur kualifikimin.

Shorti i tërhequr të mërkurën ka bërë që Kosova të luaj me Austrinë dhe Italinë. Ndeshjet do të luhen në fund të nëntorit apo fillim të dhjetorit në Austri. Kosova synon dy vendet e para që dërgojnë në fazën e dytë.

Albana, që bën karrierë në Suedi, për herë të parë do të luajë në kualifikime për Botëror.

"Ndoshta dikush mund të mendojë se kemi pasur fat në short, por unë personalisht kurr nuk i nënvlerësoj kundërshtarët. Kam respekt për secilin ekip kundër të cilit garoj. Futem në fushë me seriozitetin më të madh dhe luaj sikur të përballem me ekipin më të fortë në botë", ka thënë Arifi për faqen zyrtare të FHK-së.

Sipas lojtares tonë të rëndësishme, Kombëtarja duhet të përgatitet maksimalisht dhe të hyjë në fushë për të fituar.

"Jo rrallë herë ndodhë që ekipet të cilat nuk janë llogaritur favorite, kanë befasuar. Italia dhe sidomos Austria, janë ekipe me përvojë të gjatë dhe nuk do të jetë e lehtë të ballafaqohemi me to. Ne nuk kemi përvojë të gjatë në arenën ndërkombëtare dhe kjo nuk e bën më të lehtë ballafaqimin tonë. Kapitenja jonë, Leonora Demaj, është e lënduar dhe shpresoj shumë që deri në nëntor do të rikuperohet dhe do të kthehet në fushë, për ta udhëhequr kombëtaren tonë", ka theksuar Albana.

Ajo është rregullisht e angazhuar te skuadra e saj, Lugi, por po ashtu zhvillon ushtrime të rregullta individuale.

"Nëse edhe bashkëlojtaret tjera zhvillojnë ushtrime të duhura, shpresoj shumë se do t'ia dalim të kualifikohemi tutje", ka theksuar Albana Arifi.

Prej saj presim kontribut të madh në këtë cikël eliminator, që t'i jap krah Kombëtares tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat