Kosova mbetet edhe pa një sportist! Sot ka ndërruar jetë Afrim Qorrolli! Vdekja e hershme e tij, në moshën 58-vjeçare, ka tronditur komunitetin e hendbollit dhe në përgjithësi sportin e Kosovës.
Ish portieri i klubit të hendbollit Vjosa nga Shtimja, në periudha të ndryshme ka kontribuar për rritjen e nivelit të këtij sporti.
Njeriu i kompletuar, sportist i shkëlqyeshëm, njëherësh edhe dhëndër i lagjes Mahalla nga Zaskoku i Ferizajt!
Ai ishte shembull edhe si portier në portën e hendbollit edhe si trajner, edhe si personalitet në shoqëri! I donte debatet sportive, rivalitetin sportiv, edhe kur nuk pajtohej në debate e çmonte mendimin e tjetërkujt! Kur ishte në portën e Vjosës, e donte fortë rivalitetin sportiv kundër Kastriotit të Ferizajt. E donte sportin, e donte hendbollin por fitoret dhe humbjet i pranonte si pjesë sportive dhe asgjë më shumë.
Që nga vitet e 70-ta, kurrë nuk i nda sportit! Nuk iu nda as në vitet e 80-ta, e veçmas në vitet e 90-ta i cili me mijëra sportistë futet në flakët e luftës kundër regjimit kriminal serb. Qorrolli, në vitet e 90-ta dhe kontribut të madh, padyshim ishte hero i sportit dhe i shtetit të Kosovës sepse nuk ishte e lehtë ta sfidosh makinerinë e rëndë kriminale të Serbisë.
Ai ia doli me mijëra sportistë dhe me shumë krenari zhvilluan garat e Republikës së Kosovës . Afrimi i Gjeneratës së Republikës, djaloshi nga Rashinca e Shtimjes, me shumë shokë, fuqishëm i rezistuan okupatorit serb. Afrimi si gjithmonë i komunikueshëm, i hareshëm dhe gjithmonë i buzëqeshur, gjithnjë me një veshje pedante, një shpirt sportisti, kontribues i madh.
Afrim, ike në botën tjetër pa na thënë lamtumirën e fundit, por veprat e tua nuk do të vdesin kurrë, gjithmonë do të mbeten në historinë e lavdishme sportive të Republikës së Kosovës. Në vitin 1991 ishte shpallur hendbollist i vitit nga Lidhja e Pavarur e Sporteve dhe po ashtu sportist i vitit në komunën e Shtimes.
Me mirënjohje ishte shpërblyer edhe në vitet 1993, 1995, 1997 dhe 2000. Njeriu që kurrë nuk u ndal, por kësaj here nuk i mbijetoi Covid 19, armikut të padukshëm.
Na iku shumë shpejt, kur më së shumti i duhej Vjosës së Shtimes dhe sportit. Lamtumirë Afrim, njeriu i Gjeneratës së Republikës.