Ndërron jetë Shaban Demiri

Hendboll

Ndërron jetë Shaban Demiri

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 22:18
Ndërron jetë Shaban Demiri

Ka ndërruar jetë Shaban Demiri, një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar në hendbollin e Kosovës. Demiri ka vdekur të hënën pasi për një kohë është përballur me telashe shëndetësore.

Ai ka dhënë kontribut si lojtar e më pas si gjyqtar i hendbollit dhe së fundi edhe si vëzhgues-kontrollues.

Demiri ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare. Do të mbahet mend për përkushtimin në punë, qetësinë dhe për energjinë pozitive që ka sjellë në secilin ambient ku është paraqitur. Familja e hendbollit kosovar ka mbetur pa një anëtar të çmuar.

I lindur në vitin 1956 në Gadime, Demiri filloi të luante në Obiliq si nxënës i shkollës së mesme, në vitin 1972. Filloi te skuadra KXEK Kosova, ndërsa luajti deri në vitin 1986.

Prej viti 1988 e deri në vitin 2007 dha kontribut si gjyqtar i hendbollit. Ndërsa prej vitit 2007 e deri në ditët e fundit të jetës, ka kontribuar si vëzhgues. Është shquar edhe për korrektësinë në punë dhe për angazhimin për zhvillimin e hendbollit. Kontributi i tij, sidomos në vitet nëntëdhjeta, ishte i madh.

Presidenti Eugen Saraçini në emër të FHK-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Demiri dhe gjithë komunitetit të hendbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat