Kabashi flet për problemet dhe për tre përforcimet e reja kundër AEK-ut 

Hendboll

Kabashi flet për problemet dhe për tre përforcimet e reja kundër AEK-ut 

Nga: Kemajl Goca Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 18:01
Kabashi flet për problemet dhe për tre përforcimet e reja kundër AEK-ut 

Besa Famgas nga Peja dhe Prishtina, përfaqësojnë Kosovën në Kupën e Evropës në hendboll (meshkujt).
Të dy skuadrat janë në rrethin e tretë dhe synojnë të kualifikohen në të tetën e finales! 

Me 12 dhjetor, Besa do të takohet me Borcin e Banjallukës nga Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa Prishtina të dy takimet do t’i luajë në Athinë, me 19 dhe 20 dhjetor, kundër AEK-ut nga Greqia. 

Prishtina me gjithë problemet që ka pasur në ditët e fundit me palestër, ashtu si ka mundur edhe është përgatitur!  Kryetrajneri i Prishtinës, Taib Kabashi, flet për vështirësitë që u ballafaqua gjatë këtyre dy javëve.  

Image

“Thënë të drejtën, kemi pasur pak probleme me renovimin e Qendrës së Rinisë dhe të Sportit, u deshtë të ushtrojmë në palestrën ‘1 Tetori’, në kushte jo adekuate, nuk ka pasur ngrohje.

Si pasojë e kësaj kemi pasur lojtar të ftohur prej stërvitjeve në ‘1 Tetori’, pasi që dy javë nuk ka punuar Qendra e Rinisë dhe e Sportit. 

Edhe pse në temperatura të ftohta, jemi përgatitur ashtu si kemi mundur. Prapëseprapë mendoj se do të përgatitem mirë për sfidën ndërkombëtare. Tash e disa ditë jemi duke vrapuar pas dokumenteve, që t’i rregullojmë dhe të udhëtojmë për në Greqi”, - tha Kabashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Prishtina është përforcuar me tre lojtarë për ndeshjen ndërkombëtare. 

“Kemi angazhuar dy djemtë nga Ferizaj, Festim Mustafën dhe Arbër Dugollin, dy lojtarë shumë të mirë, po ashtu ish portierin e Kastriotit Arbër Curri, tashmë i Vëllaznimit. 

Kemi edhe një ndeshje kampionale  dhe pastaj nga e hëna e ardhshme do të grumbullohem të gjithë, që të përgatitem për ndeshjen me AEK-un”, theksoi ai.

Kabashi ka hulumtuar shumë për ekipin e AEK-ut dhe ka siguruar informacione të bollshme. 

“Kemi njohuri, jam kah i përcjelli lojërat e tyre. Ata kanë pas problem me disa lojtar për shkak të Covidit 19, por i kanë tejkaluar ato. Janë ekip e fortë, kanë katër lojtarë nga Spanja, pastaj nga Serbia, Kroacia, Brazili, Austria etj. 
Kosanoviq është një portier me përvojë të madhe dhe ish reprezentues i Serbisë. Bëhet fjalë për një ekip që para dy viteve ka luajtur në finale të Challenge Cup po ashtu edhe vitin e kaluar ka qenë lartë. 

Me këto përforcime, si Mustafa, Dugollit dhe Curri, do t’i plotësojmë ato pika. 

Nuk do të jenë pjesë e ekipit as Deniz Terziqi, që është i suspenduar nga klubi dhe as Petrit Prekazi, i cili është i angazhuar. Kështu që këto dy pozita do t’i plotësojmë me lojtarët:  Mustafa dhe Dugolli. 

Favoritë është ekipi i AEK-ut, ka përvojë të madhe, lojtar ndërkombëtar dhe që luajnë në kombëtaret tyre. Ne do të jemi me lojtarë qind për qindtë vendorë, premtojmë të japim maksimumin. Besoj se do të kthehem në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit, ku janë kushtet më të mira me u përgatitur për këtë dy sfida. Shpresoj se do t’i kundërvihem sa më shumë ekipit të AEK-ut, e cila ka gjasa që edhe të fitojë Kupën e Evropës”, përfundon Kabashi..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat