Majda - shqiptarja më e mirë në botë, po shkëlqen në Evropian! Flet babai i saj

Hendboll

Majda - shqiptarja më e mirë në botë, po shkëlqen në Evropian! Flet babai i saj

Nga: Kemajl Goca Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 20:04
Majda Mehmedoviq, me babin e saj, Enverin

Majda Mehmedoviq dhe Dijana Ujkiq, dy shqiptare që po luajnë për Kombëtaren e Malit të Zi në Kampionatin Evropian, që po mbahet në Danimarkë. 

Majda Mehmedoviq, është ndër alot e majta më të mira në botë. Një hendbolliste energjike, që i jep zemër ekipit.

Ajo është edhe anëtare e Buduçnostit nga Podgorica. Majda është nga Tivari, babain e ka shqiptar, ndërsa nënën boshnjake me prejardhje nga Gusia.   

Image

Majda, medalja e argjendtë olimpike me Malin e Zi në vitin 2012

Babai i Majdës, Enver Mehmedoviq, flet me kënaqësi për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ai tregon për sukseset e vajzës së tij.

“Jam shumë i kënaqur. Ajo luan për reprezentacionin që nga mosha 16 vjeçare, që nga viti 2006. Në vitin 2009 ka qenë në ekipin për  juniore.

Pastaj, në vitin 2012 me Buduçnostin u bën kampion të Evropës. Në vitin 2012 me Malin e Zi fitojnë medaljen e argjendtë në Olimpiadën e Londrës, si dhe bëhen kampion të Evropës, kampionat që ishte zhvilluar në Beograd. Prapë kampion me Buduçnostin në vitin 2015.  

Image

Në vitin 2016 ka shkuar në Rumani me luajtur për CSM Bucharest (Bukureshti) dhe ka qëndruar 3 sezone. Vjet u kthye te Buduçnosti, tash është kapitene. Jam i lumtur për vajzën time. Ndihem shumë krenar si familje që kemi një vajzë me përplot suksese”, tregon Enveri. 

Më tej Enveri tregon edhe një detaj interesant, kur e ka takuar kampionen olimpike, xhudisten Majlinda Kelmendi pikërisht në vitin 2016 në Rio.  “Kur kam qenë në Olimpiadë në Rio 2016, jam njoftuar me sportisten Majlinda Kelmendi. Ishte kënaqësi, që takova një kampione”, tha Enveri. 

Image

Majda është prej lojtareve kryesore në Kombëtaren e Malit të Zi, e cila ka kaluar në fazën e dytë dhe luan në grupin 1, me synime që të shkojnë sa më lart.  Familja Majdës jetojnë në Tivar. “Jetojmë në Tivar. Kam një djalë dhe katër vajza. Jemi një familje e lumtur, e dojmë shumë sportin”, thotë Enveri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat