Më 10 shkurt shorti për kampionatet evropiane të hendbollisteve të reja

Hendboll

Më 10 shkurt shorti për kampionatet evropiane të hendbollisteve të reja

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 23:15
Më 10 shkurt shorti për kampionatet evropiane të hendbollisteve të reja

Federata e Hendbollit e Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar dhe maksimalisht e angazhuar për t’u mundësuar të rinjve që të kenë përvojën e duhur për ngritje të nivelit.

Në kuadër të kësaj, Federata e Hendbollit e Kosovës ka paraqitur për të garuar në Kampionate Evropiane të këtij viti Kombëtaret U17 dhe U19 në konkurrencë të femrave. Këtë vit do të garojnë edhe Kombëtaret e kategorive të reja në konkurrencë të meshkujve, por FHK-ja është e angazhuar maksimalisht edhe për Kombëtaret e hendbollisteve.

Në grupmoshën U17, Kosova do të jetë njëra prej 39 Kombëtareve që do të garojnë në Evropianët 2021. Shorti do të tërhiqet më 10 shkurt nga ora 11:00.

Evropiani i Divizionit A mbahet në Mal të Zi, ndërsa Evropianët e Divizionit B mbahen në Gjeorgji dhe në Lituani. Kosova garon në Evropianin që mbahet në Klaipeda të Lituanisë prej 7 deri më 15 gusht.

Në Klaipeda do të garojnë 11 ekipe kombëtare. Për short në vazon e parë janë Spanja e Serbia, në të dytën Polonia e Lituania, në të tretën Bjellorusia dhe Maqedonia e Veriut, në të katërtën Turqia e Finlanda, në të pestën Letonia e Kosova dhe në të gjashtën Britania e Madhe.

Gjenerata aktuale U17 do të grumbullohet për herë të parë dhe Evropiani do të jetë i rëndësishëm për të vënë bazat e Kombëtares.

FHK-ja planifikon kamp para pjesëmarrjes në Evropianin e këtij viti.

Në grupmoshën U19 do të garojnë 34 ekipe kombëtare. Edhe për këtë grupmoshë shorti është më 10 shkurt. Evropiani i Divizionit A mahet në Slloveni, ndërsa të Divizionit B në Maqedoninë e Veriut dhe në Itali.

Kosova U19 garon në Evropianin në Shkup prej 8 deri më 15 korrik. Kjo gjeneratë para dy vitesh ishte në Evropianin U17dhe tani grupi do të plotësohet dhe pritet bërja e hapave para.

Për shortin e Evropianit të Divizionit B në Maqedoni të Veriut, në vazon e parë do të jenë Holanda e Islanda. Në vazon e dytë janë Polonia e Ishujt Faroe, në të tretën janë Bjellorusia dhe Maqedonia e Veriut, në të katërtën Finlanda e Kosova dhe në të pestën Bosnjë-Hercegovina dhe Britania e Madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat