Ramadani pas dorëheqjes nga posti i selektorit të Kosovës: Ishte një hyrje e zjarrtë...

Hendboll

Ramadani pas dorëheqjes nga posti i selektorit të Kosovës: Ishte një hyrje e zjarrtë...

Nga: K.G. Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 13:58
Taib Ramadani majtas dhe Fatmir Muhaxheri djathtas

Ish selektori i Kombëtares së Kosovës, Taip Ramadani, ka një mesazh të qartë për komunitetin e hendbollit. Ai ndihet krenar për gjithë ato vite që udhëhoqi Kombëtaren e Kosovës dhe iu është mirënjohës të gjithëve për besimin dhe përkrahjen deri në pikën e fundit.

“Mbas një periudhe gati pesëvjeçare, me mirëkuptimin e plotë të Federatës së Hendbollit të Kosovës, mora vendimin të tërhiqem nga roli i Selektorit të Kombëtares së Kosovës në Hendboll.

E shfrytëzoj këtë rast me e falënderuar Presidentin e Federatës, z. Eugen Saraçini, anëtarët bordit të FHK-së, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të FHK-së, z. Izet Gjinovci, për besimin që e shprehën ndaj meje kur ma dhanë përgjegjësinë e udhëheqjes së përfaqësueses së Kosovës.

Image

Po ashtu, i fal[nderoj për mbështetjen e pandalshme ndaj meje dhe gjithë ekipit. Gjithmonë punuan me vullnet të madh me na i siguruar kushtet e duhura për me shkëlqye – dhe me të vërtet shkëlqyem.

I falënderoj edhe zyrtarët e Federatës për përkrahjen e palodhshme në administrimin e ekipit.

Falënderoj trajnerët që bashkëpunuan me mua, dhe më këshilluan me kujdes. I falënderoj anëtarët e klubeve dhe shoqatave për bashkëpunim, gjithashtu. Falënderimet i takojnë edhe publikut hendbolldashës që dilnin rregullisht me e përkrahë ekipin e tyne. Nuk dua me e harruar edhe grupin e gazetarëve të Kosovës qe na përcollën me interes të lartë në çdo hap.

Mirëpo, në veçanti dua me i falenderue djemtë e përfaqësueses që punuan pa e kursye vetën dhe gjithmonë përfaqësuar shtetin me dinjitet dhe krenari. Dhe luftuan si luana.

Ishte një hyrje e zjarrtë në hendbollin e Kosovës për mua. Fillim i dështuam. Kurrë nuk kisha përjetuar ma para, që palestra të zbrazej para se me përfunduar pjesa e parë, nga zhgënjimi i madh i publikut ndaj ne. Ndodhi.

Image

Por kjo veç na forcoi vendosmërinë si ekip. Na bëri me e kuptuar realitetin e gjendjes në të cilën gjendeshim. U zhgënjyem shumë, ama nuk e ulëm kryet. Vazhduam dhe, pak nga pak, filluam ta gjejmë ritmin tonë.

Qëllimi i pare ishte të ngritemi nga grupi i shteteve në zhvillim. Me fitore kundër Luksemburgut dhe Qipros, ndër shtete tjera, e arritëm këtë në Bullgari në 2017.

Pastaj në kampanjën kualifikuese të Euro 2020, arritëm të klasifikohemi direkt në fazën e dytë të kampionatit Europian.

Fitorja e parë në Kampionatin Evropian na erdhi kundër Izraelit, në Prishtinë.

Në Nürnberg, para 10 mijë shikuesve, djemtë arritën për një pjesë të plotë me luajt baras me Gjermaninë (12:12). Edhe pse në fund e humbëm lojën, kjo ishte testament i aftësisë së ekipit.

Me 12 Qershor 2019, në një atmosferë të flaktë hendbolli, në Prishtinë arritëm ta sfidojmë superfuqinë e hendbollit, Poloninë. Fitoren e kishim në duar por, taman në sekundën e fundit të lojës, Polonia shënoi për me barazuar.

Në Janar, 2020, në kualifikimet për Kampionatin Botëror, barazuam me Italinë dhe fituam kundër Gjeorgjisë për me siguruar vendin e dytë në grup, mbas Rumanisë.

Ekipi vazhdon me u ngrit në nivel të lartë ndërkombëtar.

Unë mbetem përgjithmonë mirënjohës dhe krenar që e pata rastin të jem një pjesë e vogël e historisë të kësaj përfaqësuese. Ka qenë detyra ma sfiduese që kam ndërmarrë ndonjëherë por, në të njejtën kohë, ajo ma shpërblyese.

Nuk kam me harruar kurrë shoqërinë e sinqertë, mikëpritjet bujare dhe dashurinë e miqve që kam pas gjatë këtyre viteve.

Në fund, një falënderim të veçantë e meriton familja ime, bashkëshortja, djali dhe vajza për përkrahjen e pakushtëzueme dhe durimin me udhëtimet e mija të shpeshta.

Sot jam jashtëzakonisht krenar që mundem me quajt vetën Dardan.

Ekipit i uroj suksese të shumta në sfidat e ardhshme.

Gjithmonë kanë me pas përkrahjen time”, ka shkruar një letër të gjatë Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat