Trepça fiton derbin dhe del në vend të tretë

Hendboll

Trepça fiton derbin dhe del në vend të tretë

Më: 27 mars 2021 Në ora: 23:15
Trepça fiton derbin dhe del në vend të tretë

Pivoti Sali Maxhera ka shënuar 9 gola për ta udhëhequr skuadrën e Trepçës në derbin ndaj Kastriotit. Ndeshja e luajtur të shtunën në Ferizaj u fitua nga “xehetarët” me rezultat 34:28. Trepça i është revanshuar ferizajasve për humbjën që ia shkaktuan në ndeshjen e kaluar në Mitrovicë.

Ndeshja Kastrioti – Trepça i takoi xhiros së 24-t të Superligës A të Kosovës në hendboll (meshkujt).
Pos Maxherës te Trepça u dalluan edhe Alban Shabani me 7 gola e Fidan Cimili me 6. Te Kastrioti më efikasi ishte Hamdi Salihu me 10 gola, kurse 8 gola i kishte Festim Mustafa.

Trepça tani është e treta me 26 pikë, ndërsa Kastrioti renditet i katërti me 24 pikë.

Në ndeshjen tjetër të Superligës A, Prishtina fitoi në Drenas ndaj Drenicës me 44:25. Prishtina është e dyta me 39 pikë kurse Drenica e gjashta me 16 pikë.

Në Superligën B u luajtën ndeshjet e xhiros së 22-të. Llapi ishte bindës ndaj Vushtrrisë, duke fituar me rezultat 35:24. Llapi me këtë fitore ka dalë në vend të dytë me 18 pikë, tri më pak se Zhegra që udhëheq. Vushtrria ka rënë në vend të tretë (të parafundit) me 16 pikë. Prizreni është i fundit (4) me 3 pikë. Zhegra fitoi ndaj Prizrenit me 43:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat