Istogu shkatërron Ferizajn e përforcuar, kualifikohet në finalen e madhe

Hendboll

Istogu shkatërron Ferizajn e përforcuar, kualifikohet në finalen e madhe

Nga: Kemajl Goca Më: 1 maj 2021 Në ora: 19:52
KHF Istogu

As portierja Veselinka Trenovska e as hendbollistja Iva Stojkovska, si përforcime nga Maqedonia e Veriut, nuk i ndihmuan Ferizajt që të shpëtojë nga humbja e thellë! 

Istogu nuk luajti me komplet ekipin, por i mjaftoi që të shënojnë fitore me rezultat të thellë 35:20 (17:5) ndaj Ferizajt, në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së play-off-it të Superligës së Kosovës. 

Ndeshja u zhvillua në palestrën e sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj, ndërsa ferizajaset, deri sot kampione në fuqi, nuk kishin as takat të shtyhen me Istogun, më së miri e dëshmon pjesa e parë kur rezultati ishte 5:17 në favor të istogasve. 

Dyshja Keta Venetsky dhe Suzana Ujkiq, treguan lojë të shpejtë e të pëlqyeshme. Venetsky shënoi 7 gola e Ujkiqi 6, të ndihmuar nga Alberina Halitaj me 4 gola, Tina Hetemi 4, Natalia Millatoviq 4, Pranvera Ferataj 4, Ezra Tafilaj 3, Adelina Berisha 3 etj.

Bjondina Ramabaja me 6 gola është më efikasja të ferizajaset. Istogu në seri të fitoreve 2:0 kualifikohet në finalen e madhe dhe e pret fituesin e takimit Prishtina – Vushtrria.

Faruk Shala, kryetrajner i Istogut, tani mendon për finalen e kampionatit dhe po ashtu edhe për Kupën e Kosovës, me synime që t'i fitojë të gjitha trofetë.

Ferizaj mbetet i kënaqur që ka përfunduar në pozitën e katërt në pjesën e rregullt të kampionatit.

Ferizaj – Istogu 20:35 (5:17)
Ferizaj: Trenovska, Bytyqi, Sylejmani 3, Kupina, Qerimi, Sefedini 1, Dinolli 3, Ramabaja 6, Huruglica 2, Stojkovska 4, Hoti 1, Ma. Dinolli, Rushiti dhe Haliti.
istogu: Shehdadi, Ahmetxhekaj, Ujkiqi 6, Millatoviq 4, Shatri, Tafilaj 3, Blakaj, Rugova, Venetsky 7, Halitaj 4, D. Rugova, Hetemi 4, Ferataj 4, Berisha 3 dhe Rexhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat