Ndeshja e fortë, Besa Famgas bën hapin e parë drejt titullit

Hendboll

Ndeshja e fortë, Besa Famgas bën hapin e parë drejt titullit

Më: 8 maj 2021 Në ora: 18:13
Ndeshja e fortë, Besa Famgas bën hapin e parë drejt titullit

Besa Famgas e Prishtina kanë zhvilluar një ndeshje shumë të fortë të shtunën pasdite në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Ishte ndeshja e parë e finales së plejofit në Superligën e hendbollisteve. Paraqitja në fushën e lojës ishte e denjë për finale të plejofit.

Në fund, fitore me katër gola dallim shënoi kampionia aktuale, Besa Famgas. 33:29 në të mirë të ekipit pejan ishte rezultati i takimit. Por loja ishte e hapur deri në sekondat e fundit.

Sidomos në pjesën e dytë, të dy skuadrat kanë luftuar maksimalisht dhe e kanë bërë këtë ndeshjen më interesante të edicionit. Vendasit kanë qenë vazhdimisht në epërsi por nuk e kanë pasur komoditetin e rezultatit që e kanë pasur gjatë gjithë edicionit.

Të kujtojmë që Besa i ka fituar të gjitha ndeshjet e stinorit të rregullt dhe në gjysmëfinale e kaloi lehtë Vëllaznimin. Prishtina në stinorin e rregullt ishte e dyta kurse në gjysmëfinale të plejofit e kaloi Trepçën.

Ndeshja nisi me seri 3:0 të Besës. Epërsia e pejanëve shkoi shpejtë në shtatë gola, 11:4 dhe kjo epërsi u mbajt deri në fund të pjesës së parë. Pas 30 minutash lojë, rezultati ishte 17:10.

Megjithatë Prishtina nuk u dorëzua dhe në pjesën e dytë gradualisht u afrua në rezultat. Në minutën e 40-të rezultati ishte 20:17 e pak më vonë 21:19. Më pas luhej për secilin gol dhe loja ishte e fortë. Në minutën e 52-të rezultati u ngushtua në një gol, 28:27 e më pas edhe në 29:28 dhe 30:29. Fare në fund Prishtina humbi disa sulme rresht dhe Besa shënoi edhe tre gola për rezultatin përfundimtar, 33:29.

Nikola Prce e Yll Muqolli ishin më efikasët te Besa Famgas me nga 8 gola. 6 gola i shënoi Charalampos Mallios, 5 Egzon Gjuka e 4 gola i kishte Victor Alonso.

Te Prishtina me lojë të mirë u dallua Deniz Terziqi. Ai realizoi 9 gola, ndërsa kishte edhe shumë asistime, sidomos për pivotët. Lulzim Shabani realizoi 6 gola, 4 i kishte Petrit Prekazi kurse nga 3 gola i shënuan Rron Ramadani e Vlerson Zherka.

Me numër të konsiderueshëm të pritjeve u dalluan edhe portierët e dy skuadrave, Mursel Mehmeti e Armir Agushi.

Ndeshja e dytë luhet në Prishtinë, ndërsa skuadra nga kryeqyteti do të kërkojë fitoren për të siguruar edhe ndeshjen e tretë. Besës i duhet një fitore apo një barazim për ta siguruar titulli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat