Maxhuni: Ky dënim është për t’ia shëndoshur kokën Faruk Shalës 

Hendboll

Maxhuni: Ky dënim është për t’ia shëndoshur kokën Faruk Shalës 

Nga: Kemajl Goca Më: 18 maj 2021 Në ora: 18:13
Fadil Maxhuni

Kryetari i klubit të hendbollit Vushtrria, Fadil Maxhuni, është dënuar me 6 muaj mos drejtë zhvillimit të aktivitetit në hendboll dhe me 200 euro gjobë nga Komesari i Garave të Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Maxhuni e pranon dënimin dhe nuk e ka ndërmend të ankohet. 

Maxhuni tha se ka qenë një moment emocional kur ka reaguar ndaj gjyqtarëve në finalen e tretë të play-off-it të Superligës së Kosovës, mes Istogut dhe Vushtrrisë.  

Sipas tij, reagimi ka qenë në suazat e një ndeshje sportive siç ndodhë çdo kund në botë. 

Ai mburret me vashat e tij, që treguan zemër të madhe dhe u stolisen me titullin e kampionit të Kosovës. 

“Ma merr mendja se ky dënim është për t’ia shëndoshur kokën Faruk Shalës, për humbje që pësoi nga ne dhe në një farë mënyre me bë balancimin federata.

Në realitet e pranoj dënimin! Nuk ka lojë pa zhurmë, ka momente nervoze dhe reagime emocionale në kufij sportiv. 

Sa më kujtohet një moment, lojtarja e Istogut, pivotja Suzana Ujkiq, shënoi gol duke e shkelur vijën e 6-shit. Aty u bëra nervoz dhe kam reaguar. 

Jam qe 20 vite me hendboll, asnjëherë nuk njihem për ndonjë skenë të pahijshme, por ishte një moment që nuk kontrollohen emocionet, një padrejtësi e gjyqtarit, kur lojtarja futet me dy këmbë në 6-sh dhe pranohet goli. 

Shihet edhe në incizime, që Ujkiq me dy këmbë është brenda 6-shit, gol i parregullt. Aty ka qenë reagimi im”, thotë Maxhuni për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Kryetari i klubit vushtrrias habitet se si Istogu e pati lojën në dorë dhe e humbi në fund.   

“Istogu e ka pas lojën në dorë dhe të fituar, por në dy minutat e fundit, deshi perëndia dhe ndodhi kthesa. 

Lojtaret e mija kanë qenë të motivuara dhe arritëm titullin. Ne askund nuk shkojmë për barazim e as për humbje, veç për fitore. Loja ka rezultuar pozitive për ne. Edhe Isa Mustafa thoshte se do t’i fitoj zgjedhjet me duar në xhepa, kështu ia ka bë edhe Faruk Shala me Istogun. 

Faruk Shala tërë kampionatin na ka injoruar me kryeqenësinë dhe krenarinë e tij. Krenaria ta humbë vlerën. 

Ai i ka pas kushtet shumë më të mira se ne, topit nuk i dihet, topi është i rrumbullakët, këtë duhet ta dijnë ata. 

Edhe ndeshjes nuk i dihet, iu ka ra motivi atyre, iu ka rrit motivi vashave tona, luftuan për çdo top.

Vushtrria për herë të pestë është kampione dhe gjashtë herë fituese e Kupës së Kosovës, dardha pikë ndër dardhë, tradita është tek ne, këta duhet ta ketë parasysh Istogu. 
Shala dhe Istogu mos të befasohen, sepse përballë e kishin një Vushtrri me traditë të hendbollit”, përfundon Maxhuni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat