Kosova mobilizon 'armët' për Qipron, Luksemburgun dhe Portugalinë!

Hendboll

Kosova mobilizon 'armët' për Qipron, Luksemburgun dhe Portugalinë!

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 21:00
Kosova mobilizon 'armët' për Qipron, Luksemburgun dhe Portugalinë!

Kosova mobilizon 'armët' për Qipron, Luksemburgun dhe Portugalinë!

Prej të enjtes e deri të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë zhvillohet turneu i Grupit A të fazës së parë kualifikuese për “Euro 2022” në konkurrencë të femrave. Në Grupin A bëjnë pjesë Portugalia, Kosova, Luksemburgu dhe Qipro. Vetëm fituesi i grupit avancon në fazën e dytë kualifikuese, përkatësisht në kualifikimet e rregullta, aty ku Kombëtarja jonë ishte më herët.

Federata e Hendbollit e Kosovës ka punuar shumë që të marr të drejtën e organizimit të këtij turneu, me synim që vajzat tona të jenë në situatë më të favorshme për të fituar grupin dhe për të avancuar tutje. Ky është synimi, por që nuk do të jetë lehtë. Edhe tri kombëtaret tjera, sidomos Portugalia, kanë synime të mëdha nga ndeshjet në Prishtinë.

Hendbollistet e Kosovës janë stërvitur për një javë në arenën ku do të luhen takimet.

Ndeshja e parë është ajo në mes të Portugalisë dhe Luksemburgut, që zhvillohet të enjten nga ora 17:00. Ndërsa prej orës 19:30, Kosova takohet me Qipron. Të premten Kombëtarja jonë luan me Luksemburgun, ndërsa të shtunën me Portugalinë, që ishte në vazon e parë në short.

Te Kosova janë të vetëdijshëm për pritshmëritë për të bërë hapin para, por edhe për nivelin e kundërshtarëve. Gjatë fazës përgatitore është bërë punë e mirë dhe ekipi është gati.

Kombëtaret i mungojnë lojtare të rëndësishme si Leonora Demaj, Albana Arifi, Kristina Ukaj, Shkurta Mehmeti, Sara e Rina Rexhepi e disa të tjera. Por te Kosova ka disa emra të rinj e cilësor, si Njoma Zogaj, ndërsa janë kthyer pas një kohe lojtare me peshë si Pashke Marku.

Me grupin e lojtarëve në dispozicion, Kosova do të jap më të mirën me synim për ta fituar grupin. Por fillimisht fokusi është te ndeshja e parë me Qipron, që do të mundohet të bëj paraqitje të mirë në Prishtinë.

Ndeshjet do të transmetohen në RTV 21 dhe në ehftv.

Në fazën e parë kualifikuese garojnë 11 ekipe kombëtare të ndara në tri grupe. Fituesit e grupeve avancojnë në fazën e dytë. Evropiani i vitit 2022 për hendbolliste mbahet në Slloveni, Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi.

Agron Shabani, selektor: “Kemi mungesa të mëdha, thuajse një shtatëshe, për shkak të lëndimeve dhe gjërave personale të tyre. Por kemi disa lojtare të reja të cilat do të mundohemi t’i inkuadrojmë për të ardhmen. Punën që e kemi bërë me intensitet të lartë e që mendoj se e kemi bërë mirë, do të mundohemi të nxjerrim në fushë me rezultat sa më të mirë. Qipron nuk e njohim aq shumë, se është shtet që nuk e ka të zhvilluar hendbollin, por duhet t’i frikësohemi befasisë, ndërsa Luksemburgun e njoh mirë, pasi jetoj dhe punoj atje. Derisa Portugalia është ekip konkurrent i joni, ndërsa ne me mungesa do të mundohemi të përballemi sa më shumë dhe sa më mirë”.

Njomza Kelmendi, kapitene e Kosovës: “Jemi munduar të përgatitemi për këto tri ndeshje, por sigurisht se nuk do të jetë lehtë, pasi kemi shumë mungesa. Megjithatë, besoj se me punë dhe angazhim në këto ndeshje, do t’ia dalim ta arrijmë maksimumin, t’i fitojmë këto takime. Ndeshja kundër Portugalisë do të jetë më e vështira për ne, por nuk do të thotë se jemi të dorëzuara. Do të mundohemi të gjithë ta mposhtim edhe Portugalinë dhe të kalojmë tutje”.

Blerta Ahmetxhekaj, portiere e Kosovës: “Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, jemi munduar të përgatitemi në mënyrën sa më të mirë të mundshme dhe ta përfaqësojmë Kosovën ashtu siç e meriton. Kemi ndeshje të vështira, mirëpo jemi munduar të përgatitemi maksimalisht dhe synimi gjithsesi është kalimi tutje”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat