Hajdari: E kishim përballë ekipin më të mirë në Danimarkë

Hendboll

Hajdari: E kishim përballë ekipin më të mirë në Danimarkë

Më: 29 gusht 2021 Në ora: 23:46
Hajdari: E kishim përballë ekipin më të mirë në Danimarkë

Ka nisur edicioni 2021/2022 për një pjesë të hendbollisteve të Kombëtares së Kosovës. Dy prej lojtareve kryesore, kapitenia Leonora Demaj dhe qendra Marigona Hajdari, kanë luajtur për skuadrën Ringkobing, zhvilluan ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Danimarkës. Përballë Ringkobingut ishte skuadra më e mirë në Danimarkë, Odense. Odense fitoi me rezultat bindës, 36:21. 

Marigona Hajdari ka pasur paraqitje të mirë duke bërë shtatë asistime. Është shquar me organizimin e lojës dhe pasime mjeshtërore. I është kërkuar që në ndeshjet tjera të depërtoj më shpesh individualisht. Marigona është qendra e parë e skuadrës që këtë edicion luan në elitën daneze. Kampionati danez fillon të mërkurën për Ringkobingun. 

Ndërkohë Leonora Demaj ka luajtur në pjesën e dytë për Ringkobingun. Për të ishte ndeshja e parë zyrtare pas rreth një viti e gjysmë. Leonora ka munguar gjatë për shkak të një lëndimi dhe një operimi në gju. Ajo po kthehet gradualisht në ritmin e ndeshjeve.  Për shkak të një lëndimi të gjurit, Ringkobingut për kohë të gjatë do t’i mungojë Arlinda Hajdari, reprezentuesja tjetër e rëndësishme e Kosovës.

“E kishim përballë ekipin më të mirë në Danimarkë dhe e kemi pritur këtë rezultat. Të gjitha lojtaret janë reprezentuese të Danimarkës, ndërsa ka edhe nga Holanda. Do të kemi shumë ndeshje me ekipe me shumë kualitet si Odense dhe do të kemi shumë humbje.

Por do të mësojmë prej secilës ndeshje dhe me rëndësi është të zhvillohemi në aspektin individual dhe ekipor”, ka thënë Marigona Hajdari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat