Humbje nga estonezët, që nuk përpihet dot!

Hendboll

Humbje nga estonezët, që nuk përpihet dot!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 5 janar 2017 Në ora: 15:51
Pamje nga një ndeshje

Debate

Humbjet janë pjesë e sportit! Në sport ka fitore, barazime e humbje dhe të gjitha janë pjesë e sportit. Mirëpo, humbja e fundit e kombëtares së Kosovës në hendboll (meshkujt) nga Estonia, nuk përpihet dot, sepse pësuan nga një kundërshtar që nuk është sa do i fortë. Një humbje që zhgënjeu të gjithë dashamirët që ishin të pranishëm në palestrën e sportit ‘Shani Nushi’  në Gjakovë dhe edhe ata që e përcollën në ekranet televizive. Pritej një lojë më energjike, një angazhim më i madh i djelmoshave tanë, por nuk ishin në nivelin e duhur. Djelmoshat tanë luajtën shumë dobët, ndërsa Estonia e shfrytëzoi rastin për një fitore bindëse me rezultat 31:17. Justifikimet janë shterur, duhet në mënyrë urgjente të merren masa të nevojshme në muajit e ardhshme dhe të kërkojmë një formulë që të shpëtojmë nga kjo gjendje alarmante. Sepse ka plot 12 vite që hendbolli është pjesë e garave ndërkombëtare, të paktën me klube, dhe pak është investuar sidomos që të kemi një gjeneratë që mund të shkojmë diku! Hendbolli e pranuam apo nuk e pranuam, në vitet e pas luftës ka pasur më shumë kualitet, ka pasur lojtarë më të dëshmuar. Kur e themi të dëshmuar, e faktojnë edhe me emra!  Po flasim për periudhën e pas luftës, kur kishim Arben Muqollin, Verim Zherkën, Florent Beqirin, Adnan Rudarin e shumë të tjerë! Sot, lojtarë të këtij nivelit nuk kemi dhe kjo nënkupton se nuk jemi askund. Këta lojtarë që i kemi aktualisht meritojnë respekt por duhet të pranojmë se nuk janë nivel i Arben Muqollit etj. Kombëtares së Kosovës i duhen një Arben Muqoll i pas luftës, një Verim Zherkë etj. se ndryshe me këta që kemi vetëm mund të shohim ëndrra me sy hapur dhe mund ta mposhtin ndonjë kombëtare që është nën nivelin tonë ose mund ta zëmë në befasi. Përzgjedhësi Taip Ramadani, ka ardhur nga Australia, mundohet të bëjë më të mirën, por e ka të vështirë, sepse këtë brumë që e ka gjetur dhe që e ka nuk mund të bëjë mrekulli brenda natës, as brenda vitit as pas 4 viteve. A e dini pse?  Nëse në klube nuk punohet, nuk investohet, nuk ka kushte të mirëfillta, rezultate do të jenë zero. Sepse edhe në botën e jashtme kemi pak lojtarë të nivelit ashtu si e kërkojmë dhe të bëjmë diçka. Sa e sa herë ankohet trajneri i Besa Famiglias, Arben Muqolli, se në Kosovë nuk ka konkurrencë. Dhe në të shumtën e rasteve vetëm po shëtisin në ligë me ekip, se nuk ka ekip që mund t’i dalë para!” kjo është shqetësuese. Prandaj, humbja nga Estonia me 14 diferencë, është në mungesë të punës në shumicën e klubeve dhe kjo vërtet nuk përpihet dhe është e dhimbshme, sepse me një përgatitje më të lartë, me një angazhim më të madh të paktën do të pësonin më pak. Sporti është sport dhe humbjet janë humbje. Por 12 vjet nuk janë pak që jemi pranuar në arenën ndërkombëtare me sportin e hendbollit dhe nga atëherë e këndej në vend të rritjes së cilësisë, kemi rënie, po ashtu kemi humbur edhe shikueshmërinë. Kjo është e vërteta që po ndodhë me këtë sport me traditë që një ditë do të këndellet. Ata djem që mbrojnë ngjyrat e kombëtares, duhet të dëshmojnë se e meritojnë, duhet të jenë gjendje të vdesin në fushë, dhe të dëshmojnë edhe kur humbin që humbën nga një ekip shumë e fortë, dhe jo si na ndodhi me Estoninë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat