Kushtet janë të mjerueshme në hendbollin e Kosovës

Hendboll

Kushtet janë të mjerueshme në hendbollin e Kosovës

Nga: Valbon Shala Më: 9 shkurt 2017 Në ora: 10:25
Valbon Shala

Debate

Ka kohë që jam në Gjermani, por gjej kohë ta përcjelli edhe hendbollin në Kosovë. Në gjendjen që ndodhet sporti me traditë vërtet është për t’u dhimbsur, sepse nuk e meriton të jetë në këtë pozicion. Lirisht mund të konstatojë se pas luftës është cilësia më e dobët që ka ekzistuar për fat të keq. këtë e dimë të gjithë, edhe ata që janë në klube, që luajnë në fushë dhe edhe ata që e përcjellin në tribuna, asgjë nuk është për t’u habitur as çuditur, pos që duhen të ndjejmë keqardhje. I kuptoj arsyet financiare, por jo edhe gjithmonë janë fajtori financat! E dimë që edhe në vitin 2000-2010 si ka mbretëruar dhe s’ka qenë hiq më mirë ana financiare, por vullneti ka qenë shumë i madh edhe kemi ushtruar shumë. 

Për vete momentalisht luaj në Ligën e 6-të gjermane dhe vetëm e vetëm sa mos me lënë krejt, por me ju garantoj që krejt Superligën e Kosovës e shpartallojmë, përjashto Besën e Pejës që kishte me qenë ndeshje interesante. Por as këtu s’ka rroga, s’ka pare dhe dy herë në javë ushtrime, veç disiplina edhe vullneti janë ato që i karakterizojnë. Është seriozisht problem i madh që s’ka kuadro me përjashtim te disa lojtarëve ku munden mu cek 4- 5 lojtarë U-19, se për seniorë për mendimin tim është shumë vështirë me pasur suksese me këtë cilësi që janë. E  kuptoj që kushtet janë të mjerueshme në Kosovë, por edhe na secili kemi punuar paradite dhe në mbrëmje. Kemi luajtur me vite pa pare edhe nuk u bë kiameti, duke e ditur edhe çfarë ekipe kemi pasur e çfarë lige. Kam pasur fatin me luajtur me Arben Muqollin, Edmond Vokshin, Hamza Xhukën, Fatmir Muhaxherin etj. Ku unë besoj edhe shumë vite kanë me kaluar e s’ka me pasur kësi lojtarë. Sa i përket Shqiponjës nga Gjakova, nuk kemi çka mu çuditur për humbjen me rezultat 51:18 nga çeket e Sokol Poruba, duke e ditur sa punohet në Evropë sidomos në Çeki. Edhe nuk bën t’i gjuhemi të gjithë Shqiponjës për këtë rezultat, sepse jam i bindur se nuk është real. Konsideroj se kanë qenë një ditë e keqe për vajzat gjakovare. Mos të harrojmë po këto vajza na bënë krenarë me fitore kundër izraeliteve.  Prandaj, për me shkuar më përpara në Kupa Evropiane duhet punë shumë sidomos në aspektin fizik. Duke e parë në ditët e sotme qysh luhet hendbolli botëror 80 % forcë e 20 % teknik e taktik. Vajzave të Shqiponjës veç sukseseve iu dëshiroj në të ardhmen dhe se besoj që dikush ka dëshiruar më shumë se ato me shënuar fitore.

Autori është hendbollist

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat