Ku është hendbolli?

Hendboll

Ku është hendbolli?

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 13 shkurt 2017 Në ora: 17:43
Pamje nga ndeshja Sokol Poruba-Shqiponja

Debate

Shqiponja nga Gjakova ka qenë përfaqësuesi i fundit nga Kosova që u përshëndet nga garat evropiane! Vashat gjakovare nuk u treguan rivale të denjë të skuadrës çeke, ‘Sokol Poruba’. Dëshmia më e mirë është eliminimi me rezultat të përgjithshëm 97:40 nga çeket.  Sfidën e parë e kishin humbur në Ostrava me rezultat 51:18, ndërsa në Gjakovë me 46:22 ose diferenca e përgjithshme është plus 57 gola për çeket! Kjo është e vërteta e një rezultatit që i bënë shumë nervoz dashamirët e hendbollit në vendin tonë.  Është fakt që Shqiponja ka qenë përfaqësuesi i fundit dhe që arriti në të tetën e finales së Challenge Cup, por askush nuk e kishte menduar se do të eliminohet me një rezultat kaq katastrofë. Nuk duhet fajësuar vetëm Shqiponjën, as kritikuar, hiq më mirë nuk janë as ekipet tjera në konkurrencën e femrave në hendboll, po ashtu edhe të meshkujt është e njëjta situatë, hiq Besa Famiglia që konsiderohet më e organizuar! Vazhdimisht bëhet pyetja se ku është cilësia e hendbollit? Pyetja është aq e thjeshtë dhe aq konkrete sa nuk do të shumë filozofi! Rezultati të tregon se ku jemi!

Shikueshmëria në derbi të dëshmon se ku jemi me nivelin e lojës! A është e neveritshme që në ndeshjet derbi nuk kemi as 500 shikues! A është për t’u shqetësuar pse po shkojnë drejt fundosjes me cilësi? A thua ku duhet të trokasim e të kërkojmë llogari? Pas luftës cilësia e hendbollit ka qenë më e mirë, ka pasur shikueshmëri, deri në 2000 i kishim në derbi! Sot nuk i kemi as 500 në derbi dhe dihet përse! Në qytetet që njihen si zemra e hendbollit, Ferizaj, Mitrovica, që besa Gjilani, Gjakova, e dinë mirë e mirë apo si themi e njohin fortë mirë lojën e hendbollit dhe nuk mund t’i sjellim ata në palestra e të mashtrohen me nivelin e tashmë. Për atë i kemi të boshatisura palestrat me shikues, i kemi nga 100, 200 eventualisht 300.

17 vjet shkuan pas luftës, ose jemi në nëntëvjetorin e pavarësisë së shtetit të Kosovës, a kemi mundur të kemi një gjeneratë për t’u mburrur? Cilën hendbolliste apo hendbollist mund ta kemi për tregun e jashtëm? Pse nuk mund ta kemi? A është faji i tyre? Aspak jo, sepse  edhe hendbollistet dhe hendbollistët e shtyjnë me zor me kushtet dhe si punojnë e punohet me ta. Por trajnerët çfarë bënë për këto 17 vite? A kanë të drejtë të ngrenë lart kokën dhe të thonë nuk kemi faji ne për gjendjen e tashme, apo cilin lojtar apo at lojtare e bënë të një nivelit evropian? Dikush mund të mburret, por ata janë në numër të vogël. E dimë se disa prej tyre arsyetohen në mënyra të ndryshme se kushtet financiare, e gjëra tjera ia kanë diktuar mos të nxjerrin lojtare ose lojtarë. A kanë mundur të nxjerrin lojtare e lojtarë të talentuar, gjithsesi se po! Por nuk e kemi asnjë. Si mund të shkojmë përpara, si mund të kemi lojtare e lojtarë të talentuar, kur në asnjë komunë të madhe nuk kemi liga të organizuara në formë të shkollave fillore qoftë edhe të mesme që të nxjerrim brumim aty. Andaj, askush mos të çuditet nga humbja e Shqiponjës, sepse sa është investuar, punuar, dhe si e kemi brumin e lojtareve, ashtu e  kemi edhe rezultatin.  E kemi sportisten botërore, është xhudistja Majlinda Kelmendi. Ajo nuk na piku as nga qielli, as nuk e prunë të tjerët, por Driton Kuka, trajner i saj, me punën e disiplinën e tij, regjimin sportiv, e bëri një sportiste kampione olimpike, pastaj ka edhe garues të tjerë. Shembulli e kemi si mund të krijojmë sportistin, nëse dua ta ndjekim, ndryshe vazhdojmë kështu si jemi duke shkuar dhe i llogarisim humbje me diferenca të mëdha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat