Kështu e raporton FHK humbjen katastrofë nga Holanda

Hendboll

Kështu e raporton FHK humbjen katastrofë nga Holanda

Më: 2 tetor 2017 Në ora: 10:57
Pamje nga ndeshja

Hendbollistet e reja të Kosovës kanë bërë pak rezistencë ndaj Holandës, që është nënkampione në fuqi e botës dhe e Evropës. Holanda të dielen mbrëma në Prishtinë fitoi me shifrat 40:12 ndaj Kosovës  në ndeshjen e grupit të shtatë eliminator për “Euro 2018”.

Holandezet, që i takojnë nivelit më të lartë botërorë, kanë dominuar plotësisht ndaj hendbollisteve të Kosovës që për herë të parë po paraqiten në fazën kryesore të kualifikimeve për kampionat evropian.  Në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë u mblodhën rreth 500 shikues.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin 19:4 në të mirë të Holandës. Te Kosova më efikasja ishte kapitenja Leonora Demaj me pesë gola. Pashke Marku shënoi tri herë, ndërsa Mirela Gjikokaj e Merlinda Qorraj nga dy herë. Paraqitje të mirë pati portierja Dorentina Osmani që bëri shumë pritje ndaj shtatlartave holandeze. Te Holanda më efikasja ishte Lois Abbingh me tetë gola.

Për Kosovën dhe Holandën ishte ndeshja e dytë në kuadër të këtij cikli eliminator. Të mërkurën Kosova pësoi 37:12 nga Hungaria, ndërsa Holanda fitoi 33:21 ndaj Bjellorusisë. Të dielen Hungaria e mposhti Bjellorusinë me rezultatin 25:18. Kosova ndeshjen e rradhës e luan më 21 apo 22 mars kur e pret Bjellorusinë. Pritet afrimi edhe i disa lojtareve të reja nga shtetet evropiane deri atëherë.

Këto ndeshje pritet t’i ofrojnë hendbollisteve të reja të Kosovës përvojën e duhur për të arritur në nivel më të lartë. Shumica e lojtareve të Kosovës janë ende të grupmoshës së junioreve nëpër klubet e tyre. Megjithë humbjen e thellë, pati elemente pozitive në lojën e Kosovës, në momente të caktuara. Pati edhe periudha të gjata kur Kosova nuk ia dilte të shënonte gol, duke mos ia dalur të thyej mbrojtjen e fuqishme të holandezeve shtatlarta.

Kosova - Holanda    12:40 (4:19)

Pallati i Rinisë dhe i Sportit, Prishtinë

Shikues: 500

Kosova: Demaj 4, Marku 3, Gjikokaj 2, Qorraj 2, Aliu, Gashi, Hot, Kameri, Krasniqi, Kursani, Osmani, Rexhepi, Rudaku, Rugova, Shehdadi, Stagova

Holanda: Abbingh 8, Polman 6, Broch 4, Dulfer 4, Malestein 4, Steenbakkers 3, Van der Heijden 3, Bont 2, Smeets 2, Snelder 2, Amega 1, Rozemalen 1, Groot, Jankoviq, Kramer, Wester.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat