Grahni punës në kombëtaren e Kosovës! Boll me foto në instagram, me foto nuk fitohet ndeshja!

Hendboll

Grahni punës në kombëtaren e Kosovës! Boll me foto në instagram, me foto nuk fitohet ndeshja!

Nga: Enis Kastrati Më: 3 tetor 2017 Në ora: 15:33
Enis Kastrati

Nuk ka cilësi në hendbollin femëror! Më së miri u vërejt në dy takimet që ka zhvilluar kombëtarja e Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Evropian! Dy humbje të thella dhe si në takimin e parë po ashtu edhe në të dytin nuk shënuan më shumë se nga 12 gola. Në Budapest u mundën me 37:12 nga Hungaria, ndërsa në Prishtinë me 40:12 nga Holanda, në kuadër të grupit 7.  

Humbjet janë shumë të rënda dhe që dëshmuan se cilësia është e dobët e hendbollit në Kosovë, me gjithë lavdërimet në muajit e fundit se kemi rritje. Askush nuk e konteston që janë kualifikuar në këtë rreth dhe që u vlerësua si sukses, por nuk kemi ekip të ballafaqohemi me më të fortët! U pa në Budapest, u pa në Prishtinë dhe është e pandershme ta gënjejmë opinionin se kemi cilësi kur nuk e kemi! Nuk do shumë koment këto humbje, edhe pse nuk kam pritur as unë dhe as shumë njohës me tepër apo se do të ndodhë ndryshe, kur dihet se çfarë kualiteti kanë ekipet kundërshtare.

Për dy ndeshje nuk shënuam më shumë se 24 gola e pësuan 77 herë, ky është treguesi se duhet shumë të punojmë se nuk jemi askund. Vetë kjo matematikë tregon që nuk kanë qenë efikas në sulm, mirëpo edhe mbrojtja nuk ka lënë diçka për të dëshiruar. Kjo po shihet si të kombëtarja e Kosovës po ashtu edhe në garat ekipore. Boll i bëmë qejf vetes se kemi diçka apo kemi punuar diçka, ashiqare shihet kurrgjë nuk punohet nëpër klubet dhe lojtaret e jashtme që i kemi prurë, me at numër të vogël nuk mund ta ndryshojnë gjendjen 200 për qind.  Nuk ka pasur ndonjë cilësi, ndoshta kanë fituar pak me prurjet e reja me disa lojtare nga jashtë, mirëpo në këto gara nuk shkohet me pesë ditë përgatitje.

Është problem me komponuar ekip për 5 ditë, kur lojtaret nuk njihen mirë ndër veti, mirëpo dikush mendon që kështu është mirë, atëherë le të vazhdojnë. Shumë herë flitet apo debatohet çfarë të ndryshojmë. Ka vitet që debatojmë për këtë punë e pak ose hiq nuk veprohet. Duhet ndryshuar komplet qasja, duhet të ketë tubime më shumë, të ketë ndeshje miqësore që të fitohet përvoja e mos të shkohet vetëm sa për të marrë pjesë, nuk po them se do të kishin rezultat kundër një Holande shumë të fortë, mirëpo duhet ndryshuar qasja ndaj kombëtares dhe jo të shkohet e të bëhet foto për facebook e instragram.

Sepse kur po pësojnë humbje të thella, pas ndeshjes po flenë të gjithë, askush nuk poston foto, ndërsa para ndeshjes e bëjnë faqen e tyre rrush me foto, pothuajse po e  frikësojnë rivalen, kjo është qesharake.

Autori është ish hendbollist i kombëtares së Kosovës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat