Drita e pret Prishtinën në kryendeshjen e xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Me këtë xhiro mbyllet stinori vjeshtor në kampionatin e Kosovës në hendboll.
Ndeshja Drita – Prishtina luhet të shtunën (nesër) nga ora 18:30 në palestrën “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan. Pritet numër i madh shikuesish, atmosferë e zjarrtë dhe ndeshje me rivalitet e cilësore. Drita është e treta në tabelë me 20 pikë, katër më pak se Prishtina që mbanë vendin e dytë. Prinë Besa FamGas me 26 pikë.
Skuadra pejane, Besa, që është kampione aktuale, ka fituar të gjitha 13 ndeshjet e deritashme dhe vlerësohet favorite e madhe për të shënuar edhe fitoren e 14-të. Besa është mysafire e Trepçës, të shtunën (nesër) nga ora 18:00 në “Minatori” në Mitrovicë. Trepça është e katërta në klasifikim me 13 pikë dhe do të ketë disa mungesa në këtë sfidë.
Të shtunën luhet edhe takimi mes Llapit e Vushtrrisë që nis në ora 19:00. Stinori vjeshtor mbyllet të dielen me ndeshjet Zhegra – Samadrexha (16:30) dhe Vëllaznimi – Kastrioti (17:00).