A do të jetë më ndryshe pjesa e dytë e kampionatit?

Hendboll

A do të jetë më ndryshe pjesa e dytë e kampionatit?

Nga: Kemajl Goca Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 10:31
Pamje nga një ndeshje

Debate

Vjeshta nuk solli asgjë të re në hendboll, në konkurrencën e meshkujve! I njëjti avaz!  Besa FamGas nga Peja vazhdoi dominimin e saj! Në 14 ndeshje të gjitha fitore dhe pothuajse të gjitha me gjysmë force. Dominimi i pejanëve ishte pritur, por jo edhe një rezistencë aq e dobët e disa skuadrave, me përjashtim të Prishtinës që ka treguar lojëra cilësore. Prishtina ka 13 fitore e 1 humbje, por me cilësinë që ka aktualisht, vështirë mund ta mposhtë Besën që ka ekip shumë më cilësore në veçanti që ka fondin e lojtarëve më të pasur, sidomos me përforcimet që ka nga jashtë, të cilën e bëjnë edhe diferencën. Në fakt, Prishtina do të pretendojë të jetë rival i denjë në pjesën e dytë të kampionatit dhe t’ua prishë edhe hesapet. Por nëse shikojmë situatën e fundvitit në të gjitha skuadrat elite, zor që mund të prodhojë diçka të re edhe për pjesën e dytë të kampionatit.

Shihet një heshtje në tërësi të skuadrave edhe pse flitet se Prishtina mund të organizohet edhe më shumë e më përforcime të jetë më e fortë, sikurse që ka gjasa edhe Kastrioti i Ferizajt që të rikthehet fuqishëm me kryesi të re. Kastrioti ka gjasa që të drejtohet nga një kryesi e re dhe të emërohet kryetar i klubit Lulzim Abazi, edhe pse ky i fundit ende nuk e ka konfirmuar rikthimin. Pavarësisht kësaj, disa klubet do të orvaten të jenë më të organizuar sidomos të sjellin edhe përforcime, ndryshe me këtë kuadër të lojtarëve as që mund ta frikësojnë Besën. Drita nga Gjilani duket si befasi, e cila mban pozitën e tretë me 20 pikë, tetë me pak se lideri, por në asnjë formë nuk e ka cilësinë e përafërt me pejanët. Trepça nga Mitrovica përfundoi në vend të pestë me 13 pikë, dy me pak se Kastrioti që klasifikohet i katërti.

Dy skuadra me renome dhe që ende nuk po arrijnë të stabilizohen apo të gjejnë buxhet të qëndrueshëm financiar. Pozita e pestë për Trepçën nuk është e mirë në bazë të renomesë që ka, por i duhet një organizim më i mirë për pranverë, ndryshe do të mbetet jashtë katërshes. Zhegra dhe Vushtrria në bazë të organizimit dhe lojtarëve nuk është pritur më shumë, kurse Vëllaznimi nga Gjakova vazhdon të mbetet në një situatë të palakmueshme dhe që renditet në vend të tetë me 8 pikë apo është një bilanc i dobët.  

Samadrexha dhe Llapi janë të ngujuar me nga dy pikë në fund të renditjes, duke zhgënjyer në tërësi edhe tifozët e tyre. Në përgjithësi cilësia ka qenë e dobët gjatë vjeshtës dhe aq më keq shikueshmëria edhe në e ulët se në edicionet e kaluara, kjo është shqetësuese.  Tani për tani klubet janë në pushim dimëror e në heshtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat