Ku renditet Kosova në Evropian?

Hendboll

Ku renditet Kosova në Evropian?

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 10:40
Ku renditet Kosova në Evropian?

Ka përfunduar Kampionati Evropian për hendbollistët deri 18-vjet, Divizioni B. Ashtu si pritej, Austria është shpallur kampion, duke mposhtur në finale Çekinë me rezultat 23:17. Finalja u luajt në Tulln të Austrisë, ashtu si i tërë evropiani ku mori pjesë edhe kombëtarja U-18 e Kosovës. Në ndeshjen finale prezent ishin 1200 shikues.
Në evropianin në Austri garuan plot 12 kombëtare që ishin të ndara në dy grupe. Të gjitha kombëtaret i luajtën nga shtatë ndeshje. Pas pesë ndeshjeve nëpër grupre, kombëtaret e 18-vjeçarëve i luajtën edhe nga dy takime për plasman përfundimtar.
Kosova u rendit e dhjeta duke lënë prapa Britaninë e Madhe e Irlandën. Ndaj Britanisë së Madhe fitoi të shtunën me rezultat 31:23. Të dielen kombëtarja jonë humbi ndeshjen për vend të nëntë nga Bullgaria me rezultat 33:28. Ishte humbja e dytë nga bullgarët që kanë mposhtur djelmoshat tanë edhe në fazën grupore.
Rezultati në Evropian është shpresuar të jetë pak më i mirë për kombëtaren tonë, por gjithsesi kjo ngjarje do t’iu shërbejë shumë djelmoshave tanë të rinjë për të ardhmen. Për ata ishte përvoja e parë ndërkombëtare. Kombëtarja U-18 është në konsolidim e sipër dhe në të ardhmen priten rezultate më të mira nga kjo gjeneratë. Gjenerata e hendbollistëve të lindur në vitin 2000 do të ketë edhe një provë serioze më vonë këtë vit. Gjithsesi shpresohet se kampionati në Austri, faza përgatitore, ndeshjet me rivalë cilësorë dhe ndeshjet e shpeshta për një kohë të shkurtër do të shërbejnë në karrierën e këtyre lojtarëve dhe në ngritjen e kombëtares së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat