Shala: Palestra sportive, pika e errët jo vetëm e... - Bota Sot
Shala: Palestra sportive, pika e errët jo vetëm e...

Hendboll

Shala: Palestra sportive, pika e errët jo vetëm e...

Nga: Kemajl Goca Më: 21 gusht 2018 Në ora: 17:39
Palestra në Istog

Të gjitha ndeshjet i zhvillojnë jashtë qytetit, kjo është një sfidë e madhe për klubin e hendbollit Istogu, fitues i Kupës së Kosovës, në konkurrencën e femrave. Mbi të gjitha presioni është për palestër, që të bëhet e gatshme për garat evropiane! KHF Istogu do të ndeshet me klubin nga Italia,  Cassano Magnago, në kuadër të rrethit të tretë të kualifikimeve në Challenge Cup.  Kryetrajneri i Istogut, Faruk Shala, shqetësimin më të madh e ka të palestra. “Zhvillimi i ndeshjeve kundër skuadrës italiane është krejtësisht i paqartë,  jemi në negociata me strukturat udhëheqëse të komunës, kryetarin, drejtorët, punëkryesin e punimeve në palestrën në Istog. Ne jemi në pritje dhe çdo gjë varet nga rrjedha e punimeve në palestër ku kanë mbetur tre apo katër javë punë, por situata nuk duket premtuese edhe pse gjithçka lidhet me përfundimin e këtyre punimeve.

Skuadra italiane na ka kontaktuar disa herë dhe propozojnë që dy ndeshjet t'i zhvillojmë në Milano, ata dhe EHF-ja janë në pritje për caktimin e orarit dhe vendit të zhvillimit të ndeshjes. Ne synojmë që ndeshjen e parë ta zhvillojmë në Istog por nëse palestra nuk do të jetë gati atëherë ndeshjet do t'i zhvillojmë në Itali. Këtë vendim nuk jemi të gatshëm ta marrim, por do ta shfrytëzojmë në maksimum kohën që na ka mbetur për të vendosur. Kemi hartuar një projekt-propozim konkret për zhvillimin e ndeshjes në Istog, për të cilën kemi përkrahjen e disa bizneseve dhe të  Federatës së Hendbollit të Kosovës, të cilët do të na ndihmojnë edhe financiarisht po ashtu edhe në organizimin e ndeshjes. Këtë projekt-propozim ia kemi drejtuar strukturave komunale në Istog nga të cilët presim përkrahje.

Image

Faruk Shala

Ajo çka është shqetësuese për neve është qasja e personave përgjegjës për përfundimin e punimeve në palestër, qoftë investitorit, Ministria e Sportit, kontraktuesit, komuna e Istogut dhe punëkryesit, të cilët për shumë kohë ia hedhin fajin njëra - tjetrës, që realisht qe të tre palët janë pjesë e përgjegjësisë. Jemi të vetëdijshëm qe na presin sfida të mëdha përpos punës profesionale, përgatitjes së skuadrës dhe organizimit të përgjithshëm të klubit, përballimi i kostos së organizimit të ndeshjeve ndërkombëtare është një sfidë e veçantë që kërkon përkrahje institucionale dhe ajo përkrahje të jetë evidente dhe e prekshme. Ne si klub përfaqësojmë Istogun dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare.  Bizneset duhet të jenë më aktive në përkrahje të sportit në përgjithësi ngase tani me miratimin e ligjit për sponsorizim dhe fillimit të zbatimit të tij me rregullore përkatëse nuk kanë asnjë pengesë, çdo sponsorim njihet dhe zbritet në tatim sipas normave përkatëse vetëm duhet të kenë vullnetin e duhur”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Shala.

Istogu ende nuk e ka të qartë se do të përforcohet apo jo me lojtare nga jashtë. “Sa i përket gjendjes së lojtareve, ne nga hendbollistet që e kanë bartur barrën kryesore vitin që shkoj nuk mund të llogarisim në Fatlinda Fejzën e lënduar, ndërsa jemi të përforcuar me Pranvera Ferataj, kurse sa i përket përforcimeve nga jashtë kjo varet edhe nga disa donatorë që presim të konfirmohen dhe të jenë pjesë e jona nëpërmes sponsorimit të klubit, kjo mbetet të vendoset brenda një kohe shumë të shkurtë”, tha ai. Shala pak a shumë ka informacione për ekipin italian:

“Tani më jemi informuar mirë me kundërshtarin, ata kanë filluar të përgatitjet për këtë ndeshje, kanë bërë disa transferime nga jashtë dhe skuadra e tyre ka ndryshuar dukshëm nga sezoni i kaluar. Normalisht ata i kanë ambiciet e tyre qe ta kalojnë këtë rreth të garave e për këtë kërkojnë që të dy ndeshjet të zhvillohen në Itali ngase e shohin si mundësi më të lehtë për të kaluar tutje.

Ne do të shfrytëzojmë çdo mundësi, të përgatitemi dhe të jemi kundërshtare sa më i vështirë për ta, nëse na jepet mundësia të përforcohemi pse jo edhe ta kalojmë këtë grup që normalisht është mjaft e vështirë”.  Kryetrajneri i Istogut është në siklet sa i përket palestrës, e cila ende nuk është gati. “Palestra sportive, pika e errët jo vetëm e KHF Istogut por në përgjithësi e këtij qyteti sepse mungesa e saj po shkatërron përgjithësisht sportin dhe sportistet istogas, po dëmton dhe pengon përpjekjet kolosale të disa prej neve trajnerëve dhe punëtorëve sportivë qe me çdo kusht mundohemi ta mbajmë sportin në nivelin qe e meriton Istogu.

Edhe pse i kemi arritur disa rezultate qe askush nuk i ka menduar si një vend pa palestër, siç është trofeu i Kupës së Kosovës dhe pjesëmarrja në Kupat e Evropës rezultatet do të ishin shumë më të mira dhe përgatitja e skuadrës për sfidat e këtij viti për ne do të ishte shumë më e lehtë nëse do të kishim palestrën e qytetit”, tha Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...