Parduzi: Vushtrrinë e shoh në garë për titull! - Bota Sot
Parduzi: Vushtrrinë e shoh në garë për titull!

Hendboll

Parduzi: Vushtrrinë e shoh në garë për titull!

Nga: Kemajl Goca Më: 24 gusht 2018 Në ora: 11:47
Parduzi: Vushtrrinë e shoh në garë për titull!

 

Shumica e klubeve të hendbollit kanë filluar përgatitjet për edicionin e ri në konkurrencën e femrave. Disa nga to qëndrojnë mirë me lojtare dhe synojnë edhe trofe, si Vushtrria, Istogu, Shqiponja nga Gjakova dhe Prishtina. Vushtrria ka ditë që ka filluar përgatitjet me trajnerin e ri Arben Parduzi. Vashat vushtrriase përgatiten me përkushtim dhe të gjitha me një synim: Të jenë sa më të përgatitura dhe të kërkojnë titullin dhe Kupën e Kosovës. Parduzi është i kënaqur me kushtet dhe atmosferën dhe sipas tij, do të jenë sa më kompakt deri në nismë të edicionit të ri të Superligës së Kosovës. “Atmosfera në klub është shumë e mirë. Faza përgatitore është kah shkon shumë mirë, shumica e lojtareve kanë qenë të papërgatitura. Kjo fazë pak e mundimshme por lojtaret janë ambientuar mjaft mirë”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Parduzi. 

Trajneri vushtrrias paksa e ka brengë edhe infrastrukturën sportive: “Kushtet si në gjithë hendbollin në përgjithësi, me infrastrukturë joadekuate por jemi duke ja dal mjaft mirë”. Para pak ditëve janë përforcuar me hendbollisten me përvojë Burneta Rama, e cila vite me radhë mbrojti ngjyrat e Prishtinës. Përveç Ramës nuk kanë sjellë edhe ndonjë përforcim tjetër. “Për momentin nuk kemi përforcime tjera në klub përveç me lojtaren më të mirë në vitet e fundit, Burneta Rama.

Na duhen me shumë lojtare në dispozicion, pasi që kemi mungesë të bankës rezervë, por do të mundohemi të mbulohemi me lojtare të reja”, thotë Parduzi. Disa klubet kërkojnë titullin e kampionit dhe gjithsesi se Parduzi ka përmendur edhe disa nga rivalet e mundshme në edicionin e ri 2018-19: “Klubet Istogu dhe Shqiponja janë klube të organizuar dhe mjaft mirë këto vitet e fundit, por besoj që edhe ketë vit këto klube së bashku edhe me Vushtrrinë do të jenë kandidate kryesore për titull dhe për Kupë”. 

Parduzi beson e shpreson se Vushtrria do të jetë më e fortë se në edicionin e kaluar, kur për një fije të floku i iku titulli nga duart. “Ne shpresojmë që këtë vit Vushtrria është më e fortë se vitin e kaluar dhe shumë po besojmë që do arrijmë që në fund të bëhemi kampion”, tha ai. Sa i përket cilësisë shpreh brengën: “Po në ligen e vajzave kemi rënie të madhe në disa klube me traditë dhe është shqetësuese, na duhet që të punojmë shumë me gjeneratat e reja dhe në përgjithësi. Ne shpresojmë që këtë vit klubet të organizohen dhe të rritet cilësia”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...