Vdes njeriu që dha shumë për sportin e Kosovës

Hendboll

Vdes njeriu që dha shumë për sportin e Kosovës

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 10:45
Nexhat Sharani

Hendbolli i Kosovës ka mbetur pa një personalitet shumë të madh. Në orët e mbrëmjes të së mërkurës ka ndërruar jetë Nexhat Sharani, njeriu që ka kontribuar për hendbollin për dekada të tëra. Sharani ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare, ndërsa varrimi i të ndjerit bëhet të enjten (sot) nga ora 16:30 në Prizren.

I ndjeri Sharani ishte aktiv në hendboll deri para dy muajsh, kur u pensionua. E mbajti postin e rëndësishëm të Komisarit të Garave të FHK-së. Punën që i ishte besuar e ka kryer me përkushtim dhe saktësi të madhe duke dhënë kontributin për një rrjedhë sa më të mirë të garave.

Pozitën e Komisarit e ka mbajtur shpeshherë pas luftës, por kontributi i tij ishte shumë më i hershëm. Në vitet e nëntëdhjeta, kur ishte vërtetë sfidë e madhe mbajtja e ndonjë posti, i ndjeri Nexhat Sharani bënte pjesë në Komisionin e Garave. Ai ka qenë edhe gjyqtar hendbolli në të kaluarën e poashtu vëzhgues. Në të tetëdhjetat ka punuar në shkollën prizrenase të hendbollit prej të cilës ka dalur një plejadë e hendbollistëve mjaft cilësor.

Federata e Hendbollit të Kosovës ka mbetur pa një figurë të rëndësishme të saj. Hendbolli kosovar ka mbetur pa një person që dha shumë për sportin, kurse familja prindin shembullor.

FHK-ja dhe presidenti Eugen Saraçini i shprehin ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta familjes Sharani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat