Protestoni kundër garave ilegale serbe në Kosovë

Hendboll

Protestoni kundër garave ilegale serbe në Kosovë

Nga: Dervish Berisha Më: 31 gusht 2018 Në ora: 18:59
Dervish Berisha

Debate

Me vite të tëra po mbahen garat ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës dhe pa u penguar nga askush! Është shumë shqetësuese kjo gjë dhe duhet patjetër që të reagojnë në mënyrë institucionale dhe t’i ndalet hovi kësaj pune.  Duhet Federata e Hendbollit me të gjitha klubet të ngritët në këmbë e të protestojnë dhe te ankohen në Federatën Europiane e Botërore të Hendbollit, që klubet e veriut nëse u vjen puna, nuk munden të marrin pjesë në asnjë garë europiane, pa marr pjesë në garat e Superligës së Kosovës.

Andaj, të çohemi të gjitha klubet sportive, punëtorët sportiv në hendboll, jo vetëm në hendboll, por në të gjitha sportet, adhuruesit e sportit dhe të dalim kundër kësaj dukurie, që në territorin tonë mbahen garat ilegale nga Serbia dhe na nënçmojnë ne çdo drejtim. Me leje të kujt vijnë klubet nga Serbia në shtetin tonë dhe zhvillojnë garat e tyre?

Me lejen e askujt dhe kokë në vete! Andaj nëse federatat e sporteve europiane e botërore e pranojnë një gjë të tillë, është e pakuptueshme, por nuk e besoj se ata lejojnë që një shtet të zhvilloi gara në një shtet tjetër,  mirëpo nuk janë në dijeni dhe fajin ynë që nuk ankohem e protestojmë publikisht!

Federata e Hendbollit e Kosovës është e pranuar me të drejta të plota në EHF e IHF dhe me të drejta të barabarta si të gjitha federatat e shteteve tjera. Prandaj, mjaft me kësi gjëra dhe lojëra të fëlliqura ose përbuzje sepse nuk duhet lejuar asnjë ndeshje pa leje të federatave tona të luhen në Zubin Potok, as në Leshak, as në Zveçan e ku ta di unë, që klubet e një shtetit tjetër të futen dhe të garojnë! Ku jeni ju Federata e Hendbollit e Kosovës, Ministria e Sportit, mos lejoni dhe ngritëni zërin edhe zyrtarisht, bëni kërkesë në tërë botën që ekipet serbe nga Kosova garojnë në kuadër të Serbisë dhe ilegalisht. Mjaft më dhe zhdukeni të gjitha këto gjëra të turpshme dhe kundër nesh. Është koha të reagojmë të gjithë së bashku dhe njëzëri, shkurt t’ua ndalim hovin klubeve serbe. 

Tani reagoni ju Federata e Hendbollit, tregoni veten dhe mjaft më me reklama e foto, se hendbolli do punë dhe drejtësi. Zgjohuni nga gjumi, tregoni se jemi shtet dhe që jeni të pranuar ë EHF e IHF dhe në tokën tonë askush nuk mund të zhvilloi gara me leje të askujt, e të vjen nga Serbia. Kjo nuk tolerohet, është e dënueshme dhe duhet të dërgohet notë proteste në EHF.

Autori është ish hendbollist i gjeneratës së artë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat