FHK: Hendbolli mbetet pa një personalitet të madh

Hendboll

FHK: Hendbolli mbetet pa një personalitet të madh

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 12:19
Mehdi Jashari

Ka ndërruar jetë Mehdi Jashari, profesori që për kohë të gjatë ka dhënë kontribut të madh për hendbollin në vend. Jashari ishte i lindur në vitin 1944 në Ferizaj, ndërsa me hendboll nisi të merrej në moshën 15-vjeçare, në klubin e famshëm Borci nga Ferizaj. Gjatë shkollimit në Prishtinë luajti si hendbollist për Obiliqin e më pas u kthye te Borci për të cilin klub luajti edhe dhjetë vite të tjera.

Gjatë studimeve në Sarajevë është aktivizuar për klubin Bosna dhe kreu shkollën e lartë për trajner të hendbollit.

Ka punuar gjatë edhe si trajner i hendbollit. Borcin e drejtojë dy vite e tetë vite të tjera klubin e hendbollit Prishtina (meshkujt). Hendbollistet e Prishtinës i udhëhoqi për tetë vite në Ligën Federative.

Ka pasur suksese si trajner skuadrash, por edhe si përzgjedhës i Kosovës, detyrë që e mbajti prej vitit 1982 deri në vitin 1988. Ka udhëhequr reprezentacionin e të rinjëve. Kontributi i Jasharit ka vazhduar edhe në vitet nëntëdhjeta. Ndër të tjera ishte kryetar i Komisionit të Garave të FHK-së. Prej vitit 2001 deri në vitin 2006 ka udhëhequr kampet e hendbollit në shumë qytete të vendit.

I ndjeri Jashari ka kaluar dekada si profesor universitar dhe kontributi i tij ishte i madh për shkollimin edhe të njerëzve të hendbollit. Doktoroi në Tiranë në vitin 1993 në lëminë e hendbollit. Ka punuar gjatë në Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë, ndërsa ishte edhe dekan i tij. Pas pensionimit kontriboi si ligjëruar në AAB.

Federata e Hendbollit të Kosovës dhe komuniteti i hendbollit kanë mbetur pa një personalitet të madh. FHK-ja shpreh ngushëllime të thella dhe më të sinqerta për familjen Jashari.

Vorrimi i të ndierit bëhet sot nga ora 16:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat