Klubet nga Serbia vijnë në Kosovë si në bahçe të babës!

Hendboll

Klubet nga Serbia vijnë në Kosovë si në bahçe të babës!

Nga: Dervish Berisha Më: 26 shtator 2018 Në ora: 16:34
Dervish Berisha

Debate

Si vjet si sivjet si në vitet e kaluara, e njëjta këngë! Klubet nga Serbia vijnë e shkojnë nga Kosova sikur në bahçe të babës, pa u penguar nga askush. Vazhdojnë garat ilegale të klubeve serbe në të gjitha disiplinat sportive dhe hyjnë e dalin nga territori i shtetit të Kosovës, pa u ndalë nga askush. Kjo është çudi se jo mahi.

Federatat sportive të Kosovës pothuajse nuk kanë asnjë vlerë Kombëtare, por janë vetëm për interesat e tyre personale, sepse shihet qartë që sa kohë po mbahen gara në veri të Mitrovicës, të një shteti tjetër dhe armik i vendit tonë, luajnë e dalin, vijnë e shkojnë si në bahçe të babës. Kjo shihet ashiqare që ata nuk dojnë as me dëgjua për institucionet e Kosovës dhe nga kryetari e deri te nëpunësi në administratën e shtetit duhet të mendoni dhe të merreni vendime në lidhje me këtë së bashku me federatat, që nga Federata e Hendbollit dhe tjerave. Duhet të dalim të vendi dhe të reagojmë e t’i ndalim garat ilegale, jo të heshtim.

Me këngë apo sharkia nuk ndalen garat ilegale serbe. Vijnë ekipet serbe dhe zhvillojnë gara nacionale e zyrtare në vendin tonë, ndërsa na kënaqem me gjëra tjera apo me patriotizëm të rrejshëm.  Vijnë klubet nga Serbia, intonojnë himnin, Flamuri i Serbisë valon në garat zyrtare të tyre në vendin tonë, ka thirrje nacionaliste, ne heshtim dhe as që merrem me atë punë. Boll ma me lavde, me mburrje të tepërta, bashkoheni e ndaloni garat e Serbisë në Kosovë. Si futbolli, si basketbolli, si hendbolli, si volejbolli, e të gjitha sportet tjera, të bëhen bashkë e të veprojnë, si me reagime, me protesta.

Kjo është  marre se çka po ndodhë para syve tanë dhe askush nuk del me thënë: Ndalu, këtu s’ka gara ilegale. Të shtunën e 29 shtatorit, hiq më larg iu vjen Partizani i Beogradit në Zubin Potok dhe luan ndeshje të hendbollit me Mokra Gorën, prandaj, duhet të gjithë të çohemi në këmbë, jo vetëm Federata e Hendbollit por edhe federata tjera sepse të gjithë e kemi për detyrë këtë mision dhe t’i ndalim garat ilegale serbe në shtetin tonë.  Prandaj është koha të veprojmë dhe t’i ndalim këto gjëra sepse nuk ka kund në botë që një shtet tjetër zhvillon garat e saj në një shtet tjetër. Kjo është dukuri e shëmtuar dhe e dënueshme. Me vite e vitet klubet nga Serbia futen në territorin e Kosovës dhe luajnë pa asnjë pengesë, pa therë në këmbë.   

Autori është ish hendbollist i gjeneratës së artë të viteve të 80-ta

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat