Ahmetxhekaj: Synimi i Istogut është i qartë, titulli i Kosovës

Hendboll

Ahmetxhekaj: Synimi i Istogut është i qartë, titulli i Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 1 tetor 2018 Në ora: 18:23
Ahmetxhekaj: Synimi i Istogut është i qartë, titulli i Kosovës

Kosova ka numër të madh të talenteve në shumë disiplina sportive dhe shquhen në disa ekipe elite. Një emër i ri që po shkëlqen është edhe portierja e talentuar Blerta Ahmetxhekaj, e cila ka qenë figura qendrore e fitores së Istogut me rezultat 27:11 kundër Kastriotit në Ferizaj. Blerta dëshmoi klasin e saj dhe ishte më e merituara për fitoren e thellë.

Për Blertën fjalë të mëdha ka edhe trajneri i saj, Faruk Shala. Blerta nuk ka më shumë se 17 vjet dhe është e gjatë 173 centimetra, vlerësohet si potencial i të ardhmes. Portierja tha se është e mishëruar me hendbollin dhe me padurim pret që me fituesen e Kupës së Kosovës, Istogu, që të luajnë në garat evropiane kundër ekipit italian Cassano Magnago.  Ajo tregon se si i lindi ideja t’i rreket sportit të hendbollit. “Pjesëmarrja ime në klubin e Istogut ishte e rastësishme, mirëpo mund të them me bindje se është një ndër vendimet më të mira që kam marr”, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”, Blerta.

“Sapo kam mbushur 17 vjet. E lehtë nuk është aspak të luash për seniore, pasi që kundërshtaret e mia janë të një moshe me madhore, mirëpo me punë dhe përkushtim po mundohem të arrijmë rezultate të kënaqshme!”, theksoi ajo. Blerta vlerësoi lart fitoren në Ferizaj: “Kjo ishte një lojë e rëndësishme për mua, pasi që është ndër ndeshjet e para që jam rikthyer pas një lëndimi i cili me pamundësoi pjesëmarrjen në lojë disa muaj”. A ka qenë ndeshja më e mirë deri me tash? “Duke pasur parasysh rezultatin dhe paraqitjen time në këtë ndeshje të konsideruar derbi, mund të them se po”, përgjigjet Blerta. Synimet e Istogut janë të gjitha trofetë.

“Istogu është një klub me ambicie, vullnet dhe punë. Synimi ynë është i qartë, titulli i Kosovës”, tha ajo me plot optimizëm.  Me Istogun në Europë përkatësisht në Challenge Cup, a keni emocione për sfidën me Cassano Magnago? “Sfidat janë çdoherë një hap më shumë drejt suksesit! Emocionet nuk mungojnë, mirëpo ne do të mundohemi të mos lejojmë që ato të ndikojnë në paraqitjen tonë”, përfundoi Blerta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat