Besa u mbajt mirë në Norvegji

Hendboll

Besa u mbajt mirë në Norvegji

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 10:24
Pamje nga një ndeshje

Kampioni i Kosovës në hendboll, Besa Famgas është paraqitur fuqishëm përballë nënkampionit të Norvegjisë, Drammenit. Ndeshja e luajtur në Drammen të Norvegjisë para 600 shikuesve ishte e para e rrethit të dytë të Kupës së EHF-së. Në fund Drammeni fitoi me 11 gola dallim, por rezultati 37:26 nuk e dëshmon atë që skuadrat e shfaqën në fushën e lojës. Rezultati është dashur për disa gola të jetë më i ngushtë, në bazë të asaj që djelmoshat e Arben Muqollit kanë shfaqur.

Thuajse vazhdimisht lojtarët e Besës ishin rivalë të barabartë me ata të Drammenit. Drammeni është skuadër me përvojë të gjatë në Evropë, ndërsa në përbërje ka edhe reprezentues të Norvegjisë, që është prej vendeve evropiane me hendbollin më të zhvilluar. Nga pakujdesia lojtarët e Besës në fund të takimit pranuan shumë gola, që nuk është dashur t’i pranojnë.

Por paraqitja në Norvegji jep shpresë për një paraqitje edhe më të mirë të shtunën tjetër në Pejë kur luhet ndeshja e kthimit. Lojtarët e Besës kanë dëshmuar se mund të maten edhe me lojtarë të një skuadre cilësore si Drammeni.

Besa në rrethin e parë e kishte eliminuar Batumin e Gjeorgjisë. Fundjavën tjetër ndeshje evropiane kanë edhe Kastrioti e Prishtina. Do të jetë një fundjavë hendbolli, siq është edhe i tërë muaji.

Drammen – Besa Famgas 37:26 (18:12)

Besa Famgas: Gjuka 8, Jupa 7, Kukrika 4, Dre. Tahirukaj 4, Idrizi 1, Ramosaj 1, Dri. Tahirukaj 1, Berisha, Broqi, D. Idrizi, Mehmeti, J. Muqolli, Y. Muqolli, Tafilaj, Tetova, Vokshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat