Besa Famgas kërkon hakmarrje ndaj norvegjezëve - Bota Sot
Besa Famgas kërkon hakmarrje ndaj norvegjezëve

Hendboll

Besa Famgas kërkon hakmarrje ndaj norvegjezëve

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 14:35
Arben Muqolli

Hendbollistët e skuadrës kampione, Besa Famgas po i vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë të Kupës së EHF-së. Besa Famgas të shtunën në palestrën “Karagaçi” e pret nënkampionin e Norvegjisë, skuadrën Drammen. Ndeshja zhvillohet në ora 19:00. Ndeshjen e parë të luajtur të dielen në Norvegji e ka fituar Drammeni me rezultat 37:26. Besa kishte paraqitje të mirë në Norvegji dhe humbja ishte më e lartë se që ishte dallimi në mes të skuadrave.

Te Besa presin fitore, ndërsa janë të vetëdijshëm se kualifikimi është shumë i vështirë. Por fitorja ndaj një skuadre si Drammeni do të ishte me shumë rëndësi për Besën dhe hendbollin kosovar në përgjithësi. Trajneri Arben Muqolli është optimist para ndeshjes të së shtunës.

“Jemi duke u përgatitur sa më mirë që të shënojmë fitore. Tash e njohim mjaftë mirë kundërshtarin, por për t’u kualifikuar më tutje shansat janë shumë, shumë të vogla. Thuajse nuk ka shanse për arsye se Drammeni është një ekip i fortë dhe më i mirë se ne. Por besoj se me ndihmën e shikuesve dhe duke shfrytëzuar terrenin vendas, mund të fitojmë. Fitorja e ekipit tonë do të ishte e mirë për gjithë hendbollin kosovar. Natyrisht edhe për lojtarët tanë dhe për ecurinë e mëtejme të tyre”, ka deklaruar Arben Muqolli.

Besa Famgas në rrethin e parë e eliminoi skuadrën nga Gjeorgjia, Batumi, duke e mposhtur me rezultat të lartë në dy takimet që ishin luajtur muajin e kaluar në Pejë.

“Në Norvegji kemi pritur një rezultat më të mirë, por nuk ndodhi ashtu. Deri në mesin e pjesës së dytë qëndruam mirë, por në fund na lëshoi forca për arsye që momentalisht bankën e kemi me lojtarë të rinjë. Nuk po kemi mundësi të bëjmë shumë ndërrime në lojëra të forta si këto me Drammenin”, ka deklaruar Muqolli.

Të gjithë te Besa presin edhe përkrahjen e shikuesve për të shfaqur më të mirën ndaj ekipit norvegjez.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera