Kosova nuk i bëri ballë Polonisë

Hendboll

Kosova nuk i bëri ballë Polonisë

Nga: Kemajl Goca Më: 24 tetor 2018 Në ora: 19:29
Pamje nga një ndeshje

Kombëtarja e Kosovës e nisi keq, me humbje të thellë fazën e dytë të kualifikueseve për “Euro 2020” në hendboll.  Polonia triumfoi me rezultat të thellë 37:13 (15:5) ndaj djelmoshave tanë, në kuadër të grupit 1, ku bëjnë pjesë edhe Gjermania dhe Izraeli. Polakët ishin për një shkallë më të mirë dhe me lehtësi zotëruan takimin.

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Taip Ramadani, nuk kishte asnjë zgjidhje për t’i ndalur lojtarët jashtëzakonisht të mirë të rivalit. Në katër minutat e para polakët udhëhoqën me rezultatin 4:0 dhe qysh në minutën e 6-të shënojnë golin e parë hendbollistët tanë (4:1). Vendasit treguan mbrojtje shumë të mirë, me veprime të rrjedhshme, kurse djelmoshat tanë bënë edhe mjaft gabime dhe kjo i lejoi rivalit që të shkëputet në epërsi me 9 gola (10:1) në minutën e 15-të. Megjithatë,  Kosova pati një seri të mirë 0:3 duke ngushtuar rezultatin në (10:4), por jo edhe të befasoi vendasit që ishin me energjikë në çdo aspekt. Në fund të pjesës së parë polakët ngritin epërsinë në 10 gola diferencë (15:5).  

Në pjesën e dytë e njëjta situatë, polakët luanin me ritëm të njëjtë, ndërsa Kosova nuk kishte fuqi t’i bëjë ballë rivalit. Në minutën e 24-të, Polonia udhëheq me 15 gola dallim (23:8), duke fikur të gjitha shpresat për rezultat të favorshëm të të përzgjedhurve të Ramadanit. Kosova pësoi humbje të thellë me rezultat 37:13, ndërsa polakët fituan dy pikë të pritura e shumë të rëndësishme. Në fundjavë, të dielën në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë (19.30), Kosova do të ndeshet me superfuqinë botërore, Gjermaninë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat